Editorial

Edi Rama t’i thotë Xhisielës: Gjithë vëmendja është te ty

Në mesin e mandatit të dytë qeverisës, por në prag të zgjedhjeve lokale, Rilindja vendosi të ndryshojë slloganin dhe kërkon t’u qaset votueseve ndryshe. Pasi siguroi se tepsinë e ka të vetme duke ua mbajtur dorën larg saj vec PD-së edhe ish-aleatin LSI, Rilindja u propozon shqiptarëve se tani “gjithë vëmendja do jetë tek JU”.

Për fatin e saj, që në gjenezë të kësaj qasjeje të re politike një ish-oficer policie denoncoi një ngjarje të rëndë që në qendër ka një vajzë të re fatkeqe të dhunuar nga njerëz që mund të kenë akses te pushteti.

Xhisela Maloku ka denoncuar në polici kohë më parë se është dhunuar, keqtrajtuar, goditur më pistoletë në kraharor, se është djegur me cigare, se është kërcënuar me jetë, nga ish i dashuri i saj, djali i deputetit të Partisë Socialiste. Ndërsa oficeri i policisë që ka marrë dëshminë pretendon se është kërcënuar nga deputetë, kryetar bashkie dhe madje ka ndërhyrë edhe kreu grupit parlamentar të maxhorancës Taulant Balla, që çështja të mbyllej.

Sipas prononcimeve që rrodhën më pas në publik është e nevojshme që këto deklarime të hetohen. Por ama e shkruar në letra zyrtare, e vërtetuar nga mjekët dhe psikologu, vajza e re Xhisela është viktima sepse është dhunuar. Faktet dhe dëshmitë janë në dokumentat zyrtare të policisë. Nëse rasti nuk do të ishte bërë publik me kaq detaje, ndoshta askush nuk do të mësonte për të dhe ndoshta asnjë hetim ndoshta nuk do të niste. Por edhe sikur të niste, ai nuk do të përfundonte për të gjetur fajtorët. Prania ose jo e Taulant Ballës ose do të forconte ose do të zbehte tonet e ngjyrës mavi të skandalit, pasi siç ngjarja është e qartë: Policë dhe disa komisariate e kanë refuzuar dëshminë e Xhiselës, ose kanë ndërhyrë - sipas saj - që ta anashkalohet denoncimi. Pra, kemi një strukturë të tërë që punon ose hesht kundër viktimës dhe pro dhunuesit. Dhe kaq mjafton për të kuptuar se kështu shteti ka rënë! Dhe Taulant Balla as nuk mund ta mbajë dhe as mund ta shtyjë më shumë.

Vajza e re Xhisela, jetime, pa baba vetëm me një motër dhe nënë, jeton në Nikël, vatër e krimit. Ajo është e papunë. Në momentin më fatkeq të saj, ajo u ndje vetëm dhe e pambrojtur nga askush, që kur bëri denoncimin e parën. Por brenda kësaj historie duket se po krijohet një tjetër që po e mbështjell edhe me më shumë të panjohura çështjen. Palët e denoncuara nga ish-polici tani jashtë shtetit, e akuzojnë atë për gënjeshtra dhe qëllime përftimi për azil. Deputetët kanë mohuar në çdo gërmë akuzën. Taulant Balla ka paditur ish-oficerin, gazetarin që e intervistoi edhe kreun e opozitës Lulzim Basha për një ngjarje që nuk është kryer. Edhe polica është shprehur zyrtarisht se ish-oficeri ka krijuar një ngjarje në të cilën nuk ka qenë pjesëmarrës.

Por për sa kohë nuk ka një hetim, çdo hipotezë mbetet e hapur. Ama diçka është e sigurtë, që Xhisela është e dhunuar dhe mbi të kërkojnë të përfitojnë të tjerët. Se kush, këtë duhet ta thonë hetimet!

Në një moment të jetës, çdo njeri mund të ndodhet në një situatë si Xhisela. Por nga historia e saj kuptojmë se fare lehtë mund të mbetesh vetëm, jo vetëm kundër krimit, por mund të kemi armik edhe pjesë të shtetit që synojnë përfitime.

Për fatin e tij të keq ose të mirë që i ndodhi ky rast, Edi Rama, jo vetëm si kryeministër por edhe si udhëheqësi e frymëzuesi politik i Rilindjes, duhet të dilte i pari që t’i tregonte Xhiselës, e cila është njëra nga ne shqiptarët e thjeshtë pa imunitet, se “gjithë vëmendja është te ajo”. Ka ende kohë të dalë nga bisedat virtuale në Facebook dhe ashtu siç bëri për armët kimike, kur shqiptarët iu mblodhën kundër poshtë dritares së zyrës, apo kur shqiptarët dogjën traun e koncesionit Durrës-Kukës; dhe t’u thotë shqiptarëve se ai është në anën e tyre duke kërkuar hetim të plotë, të shpejtë dhe të pandikuar që drejtësia të na thotë të paktën një herë kush është fajtori. Në rast se ka dhunë, të dënohet djali i deputetit. Nëse ka ndërhyrje, të shkojnë në burg pas tij edhe babai deputet, e deri Taulant Balla e policët që manipuluan procesin. Në të kundërt qelinë duhet t'ia japim policit që gënjeu për azil politik e Lulzim Bashës që ngriti një furtunë të paqenë.

Të vërteta të gënjeshtra për efekt politik nuk mund të ketë çdo javë e çdo muaj. Këtu të gjithë kërkojnë të drejtë mbi viktimën e dhunuar, por vetëm ajo nuk ka marrë drejtësi. Por jo, historia nuk mund të vazhdojë gjithnjë kështu!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë