Lajme

Edhe universitetet me koncesion. Rama me studentët: E njëjta skemë

Në një bashëbisedim me studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, për “Paktin për Universitetin”, kryeministri Rama tha se investimet në arsim do të realizohen me PPP, ashtu si rrugët e reja që u përfshinë në paketën “1 Miliardë euro”.

Në tentativën për të shpjeguar anulimin e koncesionit për aksin Thumanë-Kashar, Rama theksoi se nuk do të kemi ndonjë ndryshim të madh, pasi skema e PPP-së që do të aplikohej aty, do të ndiqet edhe për rikonstruksionin e konvikteve dhe ndërtimin e Kampusit Universitar.

“Keni dëgjuar dhe reagimin për anulimin e koncesionit të Thumanë-Kashar dhe deklaratat që s’ka lekë. Kur do behej rruga ishte një vjedhje shumë e madhe dhe po vinin bujën se do vidheshin 300 milionë, – shpjegoi kryeministri. – Tani thonë që s’ka lekë. Në fakt as do vidheshin, se skema e partneritetit që është një mjet propagande për një mekanizëm financimi krejt normal. Quhet Partneritet Publik Privat pse? Sepse sektori publik përmes qeverisë i kërkon sipërmarrjes private që të nënshkruaj një bashkëpunim, ku sipërmarrja nuk merr para, por hedh paratë e veta, por sigurisht të marrë para në një afat kohe shumë më të gjatë. Zgjodhën anulimin e Thumanë – Kasharin se ishte puna me volumin më të madh. Dhe këtë volum do ta kalojmë te pakti për universitetin dhe i thashë rektorit, më tha që e kemi gati projektin e ish-kirurgjisë. I thashë: ju keni dhe konviktet problem. Pra universiteti duhet të administrojë konviktet në Elbasan, Vlorë, Shkodër apo Gjirokastër dhe çdo qytet”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi më tej që të gjitha projektet për Universitetin “ të integrohen edhe me projektet e konvikteve dhe çfarë keni nevoja të tjera”.

Rama tha se Universiteti i Elbasanit do të futet në programin e infrastrukturës universitare që do të bëhet me të njëjtën skemë si Thumanë-Kashari, por jo rruga atje por programi kombëtar për infrastrukturën e universiteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë