Shendet

“Përbindshat” e gjelbër që mund të na shpëtojnë

Të gjithë janë të lodhur nga “përbindëshat” shumë katesh, rrugët e mbushura me emetimin e karbonit të automjeteve dhe pluhurin që ka “gllabëruar” pothuajse të gjithë qytetet. Tashmë njerëzit janë të interesuar për krijimin e një jetese të re mes gjelbërimit dhe ajrin e pastër. Një nga arkitektët më të njohur të qytetërimeve moderne Scot Moran ka prezantuar për BBC, një mënyrë të re jetese, shumë të këndshme dhe mbi të gjitha të shëndetshme.

Ai nuk jeton në male, por është i rrethuar nga bimë dhe lule të ndryshme. Shtëpia e tij ndodhet në krye të një ndërtese në mes të San Franciskos. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve punë në Akademinë e Inxhinierisë, Moran, ka ndihmuar në projektimin dhe ngritjen e një ndërtese të gjelbër, në mes të qytetit.

San Francisko

“Është duke u bërë shumë më e qartë se ndërtesat duhet të dizajnohen në mënyrë që të kursejmë sa më shumë energji dhe ujë,” thotë Moran. “Kjo kërkon një teknologji të sofistikuar dhe do të ketë shumë kërkesa për specialistët e kësaj fushe,” shton ai.

Nevoja për të jetuar shëndetshëm dhe për të qenë njëkohësisht si pranë natyrës, ashtu edhe pranë civilizimit, është ndier prej kohësh edhe në Shqipëri, ku  ndotja është shumë përtej normales. Megjithatë, së bashku me një sërë kullash të reja” në Tiranë  do të ndërtohet së fundmi edhe një ndërtesë e gjelbër  në Rrugën e Kavajës. Ky projekt quhet “Square21” dhe ofron një koncept modern te jetesës, promovon një jetë te shëndetshme dhe përbëhet nga një habitat ekologjik ku fokusi kryesor bie mbi hapësirën e gjelbër që do të ndërtohet në pallate. Edhe pse një projekt modest, krahasuar me ato të vendeve perëndimore, kjo ndërtesë mund të jetë një ogur i mirë për Tiranën dhe të frymëzojë firmat e ndërtimit të fokusohet tek jetesa e shëndetshme dhe ndërtimin e ambienteve miqësore me natyrën.

Projekti “Square21", Tiranë

Jetesë e shëndetshme dhe shumë vende pune

 Në vitin 2000, vetëm 41 projekte të reja ndërtimi u vlerësuan si ndërtesa të gjelbra në SHBA. Vitin e kaluar, kjo shifër ishte rritur në më shumë se 65.000. Edhe në vendet e tjera në botë ka pasur një rritje të ngjashme dhe është trend që pritet të rritet. “Qeveritë anembanë botës janë zotuar të kufizojnë ngrohjen globale nën 2 gradë celsius si pjesë e Marrëveshjes së Parisit”, thotë Terri Uills shefi ekzekutiv i Këshillit Botëror të Ndërtimit të Gjelbër. “Ndërtesat prodhojnë aktualisht rreth 38% të emetimeve globale të gazeve serë që lidhen me energjinë. Kjo do të thotë se ne nuk do të përmbushim objektivin 2 gradë celsius nëse te gjitha ndërtesat tona nuk bëhen më të gjelbra. Industria e ndërtimit po bëhet shumë interesante mbi të gjitha zgjidhjet që nevojiten për të kaluar këtë sfidë,” thotë Uills.

Barcelonë

Ndërtesa e qendrës “Vullneti” në Londër është një shembull i mirë i ndërtesave të gjelbra. Shumë nga materialet e përdorura në ndërtesë riciklohen ose vijnë nga burime natyrore, si druri, në përpjekje për të zvogëluar emetimet e karbonit të krijuara gjatë procesit të ndërtimit, ndriçimi përshtatet më sasinë e dritës që hyn prej dritareve, ndërsa uji në këto ambiente ngrohet nga energjia diellore.

Sipas Uills, bota do të ketë nevojë për inxhinierë që duhet të punojnë me sistemet e energjisë së rinovueshme ose arkitektë të cilët prodhojnë dizanje që nuk krijojnë emetime dhe të përdoren materiale të riciklueshme.  Në Amerikë të ketë një rritje prej 105% të vendeve të punës për instaluesit e paneleve diellore deri me 2026, për ndërtimin e mjediseve të gjelbra.

Ndërsa në Kinë, qeveria ka vendosur qëllime agresive si pjesë e një plani pesë vjeçar, sipas të cilit 50% e të gjitha ndërtesave të reja urbane të jenë të certifikuara si “ndërtesa të gjelbra.  Shembulli kryesor është ndërtimi i dy kullave që do të pastrojnë ajrin e qytetit të Nanjingut, me 1100 pemë dhe 2.500 shkurre dhe bimë. Ndërtimi i tyre do të përfundojë në fund të vitit 2018 duke tejmbushur zonën me 1100 pemë që do të mbillen për të pastruar ajrin e qytetit duke prodhuar 600 metër katror oksigjeni çdo ditë. Përveç kësaj, kalimtarët dhe turistët do të përballën me një pamje që lë pa frymë. Ndërtesat, natyrisht, do të përfshijë më shumë se vetëm bimë. Kulla shtatlartë do të mbajë zyra, një muze, një shkollë arkitekturë të gjelbër dhe kafene.

 Edhe në Argjentinë do të ketë shumë ndërtime të krijuara për sektorin e ujit, ndërkohë që vendet e tjera përpiqen të përshtaten me ndryshimin e klimës, plani kombëtar 15 vjeçar i këtij shteti do të hapë gati 200.000 vende pune. Kjo kërkesë në rritje për “ndërtesa të gjelbra” do të thotë që shumë kompani tashmë janë duke luftuar për të rekrutuar njërëz që do të punojnë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Uills tregon një pjesë të zyrës së tij, e cila ka një faqe muri të mbuluar me bimë të ndryshme që ndihmojnë pastrimin e ajrit brenda ndërtesës. Këto mure të “gjalla” janë duke u shfaqur në shumë ndërtesa në mbarë botën, duke filluar nga Australia, e cila ka kopshtin vertikal më të lartë në botë, deri tek selia e “Google” në Londër, e cila ka çati të gjelbër. “Ne kemi staf të specializuar që punon dhe kujdese për bimët e vendosura në këto ndërtesa,”shpjegon Uills.

Sipas parashikimeve nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, ndërtimi i objekteve miqësore me mjedisin pritet të krijojë 6.5 milion vende pune deri në vitin 2030. Tashmë përveç energjisë, “ndërtesat e gjelbëria” do të jenë perspektiva e re e dekadave të ardhshme../BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë