Shendet

Edhe meshkujt mund të preken nga kanceri i gjirit

Para pak kohësh, të dhënat e INSTAT, treguan se në vendin tonë rastet e vdekshmërisë nga sëmundjet tumorale, gjatë vitit të fundit ishin shtuar. Diçka tepër shqetësuese që tregohej nga të dhënat ishte edhe fakti se pjesë e kësaj rritje ishin meshkuj. Kryesisht ata që ishin të diagnostikuar nga tumoret e aparatit tretës ose aparatit të frymëmarrjes. Por ky nuk është vetëm një problem shqiptar pasi sipas organizatës jofitimprurëse “Cancer Research” në Mbretërinë e Bashkuar, ka një tendencë në rritje që meshkujt të jenë më të rrezikuarit nga sëmundjet tumorale edhe në vende të tjera.
Një ndër tumoret më të përhapura tashmë në Mbretërinë Bashkuar është edhe kanceri i gjirit tek meshkujt. Përgjithësisht këtë sëmundje e lidhim me gratë, pasi një në tetë gra mund të preket, por edhe burrat mund të diagnostikohen me kancer gjiri.
Dihet biologjikisht që djemve nuk iu zhvillohen gjinjtë gjatë pubertitetit, por ato kanë inde të gjirit, ku kanceri mund të zhvillohet.

“Deri në pubertitet, indet e gjirit tek djemtë dhe tek vajzat janë të njëjta. Të dy kanë një sasi të vogël indesh të quajtura areola e cila është zona e errët e gjirit. Kjo pjesë është e përbërë nga kanale të rrethuar nga indet yndyrore, indet lidhëse, enët e gjakut dhe nyjet limfatike,” shpjegon një tjetër organizatë bamirëse në Britani e quajtur “Macmillan Cancer Support”.
Duke marrë parasysh që kjo sëmundje po përhapet me shpejtësi, në tetorin e vitit të kaluar, klinika Mayo në Florida, njoftoi se do të zhvillonte një vaksinë të re antikancerit, për të cilën mjekët mendojnë se do të parandalojë përsëritjen e kancerit tek një person i cili ka qenë i prekur më parë.
Por sa e zakonshme është që një mashkull të diagnostikohet me kancer gjiri dhe cila janë, simptomat e para që mund të vërehen?
Sipas raportit të Globocan, qendër që mbledh të dhëna mbi vdekshmërinë e kancerit nga mbarë bota, fatmirësisht të dhënat për Shqipërinë, kanë treguar se nuk ka asnjë mashkull të prekur nga kjo sëmundje, por shqetësues është fakti se ka një tendencë zhvillimi në Europë, edhe pse në një numër të vogël.

Përgjithësisht, me të prekurit janë meshkujt mbi moshën 60- vjeçare. Gjithashtu, ekspertët e qendrave tregojnë se të rrezikuar janë edhe ata të të cilët kanë një nivel të lartë të estrogjenit. Sipas shkencëtarëve 10 nga 20 këto raste diagnostikohen me kancer të gjirit si shkak i një gjeni përgjegjës në gjenom. Disa nga simptomat e kancerit të gjirit tek meshkujt janë: sekrecion nga gjoksi, ndjeshmëri e tepërt në gjoks, ënjtje në zonën e gjoksit, ulcera dhe zhvillim i nyjeve limfatike. Meshkujt duhet të jenë të vetëdijshëm për këto shenja dhe të kontrollojnë për ndonjë shenjë të mundshme, në mënyrë që të bëhet diagnostikimi sa më i hershëm.
Ashtu si tek femrat edhe meshkujt e diagnostikuar me këtë lloj kanceri duhet t’i nënshtrohen procedurës së heqjes së indeve të gjoksit. Gjithashtu kjo ndërhyrje duhet të shoqërohet edhe me radioterapi në mënyrë që të zhduken të gjitha qelizat tumorale.
Mjekët mendojnë se pjesa më e madhe e meshkujve që diagnostikohen me kancer gjiri, sëmuren për shkak të gjeneve të trashëguara. Një tjetër këshill e tyre, është se njëjtë si tek femrat, zbulimi i hershëm i sëmundjes është tepër i rëndësishëm përpara se kanceri të avancojë./The Independent/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë