Mode

Edhe bio, edhe të rehatshme. Gra, njihuni me të brendshmet ekologjike!

Ndërsa Komiteti i Auditimit Mjedisor (EAC) publikoi këtë javë emrin e markave që kanë më së shumti ndi,kim në mjedis në Britani të Madhe, nuk jemi të befasuar të shohim në krye te listës linja "të shpejta" të modës, të tilla si Misguided dhe Boohoo, të cilat kryesisht ofrojnë veshje të lira.

Por lajmet e mira nuk kanë vdekur: Ka shumë marka të tjera që ofrojnë veshje seksi dhe mjaft në modë, minus kostot mjedisore dhe njerëzore. Le të hedhim një sy tek të brendshmet. Me këto, ju nuk do të duhet të zgjidhni më mes sofistikimit, rehatisë dhe qëndrueshmërisë, sepse këto katër marka, i kanë të gjitha.

Ayten Gasson
Butiku me bazë në Brighton, "Ayten Gasson" prodhon veshje të bukura dhe me cilësi të lartë, të disponueshme në dyqan dhe në internet. Stilistja Ayten Roberts po fiton popullaritet në Britani të Madhe për përdorimin e dantellës së cilësisë së mirë. "Më pëlqen përdorimi i lidhjeve të vjetra angleze. Detajet dhe pjesët e mëndafshit janë ato që i bëjnë të veçanta këto veshje", përshkruan Roberts.

Përtej përkushtimit të saj të fuqishëm për të mbështetur industrinë prodhuese në Mbretërinë e Bashkuar, stilistja po punon shumë për të kufizuar ndikimin e modës në mjedis. "Të brendshmet tona të femrave kanë gjurmë minimale të karbonit. Porositë online dërgohen tek konsumatorët në një paketim etik, i cili është i biodegradueshëm dhe i riciklueshëm. Ne përdorim materiale mëndafshi dhe pambuku, të cilat reduktojnë ndotjen nga plastika", shton Roberts.
Në fakt, shumica e pjesëve së saj janë bërë nga 100% mëndafsh, 100% pambuku Tana dhe bambu organike. Kjo lejon këto të brendshme të zgjasin më shumë. "Ne gjithashtu bëjmë vetëm dy palë të çdo stili dhe çdo madhësie. Ne përpiqemi të përdorim pëlhurën e rikuperuar, e cila është pjesë e aksioneve nga fabrikat më të mëdha dhe shtëpitë e projektimit kështu që këto materiale të bukura nuk përfundojnë në depozitë", shpjegon Roberts. "Marrim copa stoku të markave të shtrenjta nga fabrikat e tjera dhe i ripërpunojmë; kjo e bën produktin tonë të jetë i një cilësie të mirë dhe mjaft të veçantë", thotë ajo.

Nude Label
Modelet dhe ngjyrat e Nude Label e kanë bërë shumë të suksesshme këtë markë gjatë katër viteve të saj të ekzistencës në treg. Kjo markë e të brendshmeve u themelua nga dy stilistet Ana Alemany dhe Clara Ropero.

"Ne krijuam Nude Label sepse kemi kuptuar se ka pasur një mungesë në treg kur është fjala për të brendshme të këtij lloji. Nuk kishte shumë opsione, edhe të bukura dhe të bëra mirë. Ne kemi zbuluar se këto modele të brendshmesh nuk ishin vetëm seksi por edhe mjaft të rehatshme. Këto ishin gjërat që ne kishim parasysh kur vendosëm të krijonim këtë linjë të brendshmesh, që gratë të ndiheshin rehat dhe të sigurta,” thotë Alemany. Kur bëhet fjalë për reduktimin e ndikimeve të tyre mjedisore dhe sociale, të dy stilistet mendojnë se fjala kyçe është 'lokale'. Çdo gjë është prodhuar në Valencia për të mbështetur ekonominë lokale. "Fabrika është shumë pranë impiantit tonë kështu që ne mund të sigurojmë cilësinë e veshjeve, ndërsa kushtet e punës janë ato të duhurat," shton Alemany. Të brendshmet janë bërë me pambuk organik. Pambuku dhe fashat elastike kanë marrë certifikatën Oeko-tex 100. Kjo është një etiketë e pavarur e produktit, e njohur ndërkombëtarisht, që garanton që tekstilet e të gjitha llojeve brenda produktit janë testuar dhe certifikuar pa përbërje toksike.

"Unë besoj se një ndër gjërat e rëndësishme për t'u kujdesur është edhe pjesa e rrobave. Është mirë të mos njohësh vetëm vendin e origjinës, por edhe fabrikat që i kanë bërë. Është e rëndësishme të njohësh njerëzit që punojnë pas markave të rrobave dhe prandaj të gjitha markat duhet të bëjnë kompromis për të qenë më transparent dhe për të dhënë më shumë informacion rreth prodhimit dhe praktikave mjedisore ", përfundon Alemany.

https://www.instagram.com/p/BtTbYEqBlAE/?utm_source=ig_embed
https://www.instagram.com/p/BqqWM6ehZ99/?utm_source=ig_embed

Naja
Naja ka një fokus të fortë në minimizimin e ndikimit të saj në mjedis. Qëllimi kryesor i markës është krijimi i të brendshmeve me përdorim minimal të ujit. "Ne kishim një qëllim: Të përdornim më pak ujë sesa përdorin markat e tjera, duke prodhuar linja nga plastika e ricikluar", shpjegon presidentja e firmës Catalina Girald. Naja printon artikuj në mënyrë digjitale në vend të përdorimit të proceseve së ngjyrosjes në të lagësht. Kjo metodë u lejon atyre të kursejnë një sasi të rëndësishme të ujit. Lufta e Naja kundër mbeturinave është gjithashtu e ndjeshme në zgjedhjen e saj të rrobave. Megjithëse materialet ndryshojnë, marka përpiqet të bëjë më shumë gjëra nga pëlhura të riciklueshme.
Edukimi i konsumatorëve në lidhje me këto praktika dhe promovimi i idesë së qëndrueshmërisë në industrinë e modës është një objektiv i rëndësishëm për ata që punojnë në Naja. "Industria e veshjeve në tërësi ka një rrugë të gjatë për të shkuar në qëndrueshmëri dhe në sigurimin e praktikave etike. Është shumë e rëndësishme për konsumatorët që të paguajnë më shumë për një mall që është prodhuar materiale cilësore”, përfundon Girald.

Luva Huva
Marka me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Luva Huva, ka një etikë të brendshme e cila refuzon prodhimin masiv dhe shitjen me shumicë të produkteve dhe zgjedh të përqendrohet në një varg iniciativash që promovojnë punën lokale dhe reduktojnë ndikimin në mjediso. "Ne i dorëzojmë të gjitha rrobat në një bazë porosish, të cilat më pas i dërgohen drejtpërdrejt klientit. Ne bëjmë çdo gjë në shtëpi, ne jemi një ekip i vogël prej katër grash, punojmë në të gjitha aspektet e prodhimit nga dizajni, marrja e modelit dhe qepja, deri tek mbështjellja përfundimtare dhe paketimi i rrobave të mbaruara", shpjegon Joanna Ketterer, themeluesja e Luva Huva. "Ne gjithashtu punojmë me marka të tjera etike siç janë Socks, që dhuron 20% të të ardhurave për të ndihmuar kafshët e rrezikuara", shton Ketterer.

Megjithëse duhet të bëhen përmirësime në industrinë e të brendshmeve (dhe në industrinë e modës në përgjithësi) për ta bërë atë më të qëndrueshme, ka ende arsye për të qenë optimistë, pasi ndryshimet po bëhen gradualisht. "Nëse ndryshojnë më shumë kompani dhe ndërgjegjësimi i konsumatorit rritet, kjo do të kishte një ndikim të madh pozitiv. Kur ne nisëm mbi 10 vjet më parë, kishte shumë pak marka që përdornin pëlhura të qëndrueshme për të brendshme. Por kjo ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë këtyre viteve. Dhe kjo është e mrekullueshme", përfundon Ketterer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë