Gazeta Si – Në të njëjtën ditë me Ernest Muçin është prezantuar në Turqi një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare, sulmuesi Arbnor Muja. Ai ka lënë Belgjikën dhe ka firmosur për Samsunspor në Superligën turke.

Muja, i grumbulluar nga trajneri Silvinjo në kualifikueset e Europianit, ishte pjesë e Antverp në kampionatin belg, ku fitoi titullin dhe provoi edhe shijen e grupeve të Ligës së Kampionëve. Tani vjen kjo lëvizje në një ekip të nivelit mesatar në Turqi, ku aktivizimi mund të jetë më sistematik.
“Futbollisti i Shqipërisë, Arbnor Muja, së fundi pjesë e Antverp në Belgjikë, ka firmosur për tri vjet e gjysmë me skuadrën tonë”, – shkruan klubi i Samsunsporit për afrimin e lojtarit të Kombëtares kuqezi.
Në Turqi bëhet kështu një koloni e vërtetë me futbollistë shqiptarë. Muçi dhe Muja u bashkohen atyre që ishin më parë pjesë e futbollit turk, si Sokol Cikalleshi, Odise Roshi, Eduard Rroca, Valon Ethemi, Dejvi Bregu, Jurgen Bardhi e ndonjë tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




