Do flas dhe unë

E vetme, një grua në protestë

Zamira Korance jeton në Tiranë . Ajo nuk ka asnjë shoqatë, nuk është shfaqur askund si një nga gratë që mbron gratë. Nuk është ulur ndonjëherë në tryeza të shoqërisë civile për çështje të dhunës, ose të jetë përfshirë ndonjëherë për ndryshimet ligjore kundër dhunës , kundër krimit në familje. Por vrasja e fundit në Vlorë, vrasja e Etlevës dhe përdhunimi I një nxënëseje shkolle 13 vjec në Kavajë, ja ka sosur durim. Doli të protestojë. Bleu një flamur afër 21 dhjetorit, në Tiranë, aty ku ka shtëpinë, gjatë mbrëmjes shkroi deri vone parulla, I lidhi me një pe të zi , që e mori nga dollapi dhe hoqi përparësen e amvisës

Zamira i tregoi gazetës se vendosi të protestojë për gratë , për të drejtat e grave teksa po dëgjonte në televizor se sa lehtë dhe si vritet një grua. “ E mora këtë vendim për të ardhur para godinës së komisionit të ligjeve , s’ka rëndësi se jam vetëm. Mund të ngjaj edhe e çmendur, mbase mund t’ju dukem edhe juve kështu” . Zamira shpalos flamurin.

Garda që ruan godinën nuk e lejon që t’i ngjisë fletushkat në hyrje të institucionit. Ata e largojnë qetësisht. Dhe ajo për t’u treguar e vendosur deri në fund , pa asnjë kamerë rrotull, pa asnjë gazetar , dhe pa thirrje , I shtron pankartat në murin e godinës. Në njërën prej tyre me germa kapitale ka shkruar “ stop vrasjeve dhe dhunimit të nënës, motrës shqiptare”. Të tjerat janë thirrje më të ashpra në të cilën 46 vjeçarja i bën apel Kuvendit për rikthimin e dënimit me vdekje . Zamira shkruan “ kryetari I kuvendit të Shqipërisë , të akreditojë ligjin me vdekje , për të tillë burravecë mostër e kriminelë që vrasin të shenjtën femër”

Zamira është e rezervuar për veten. Nuk e pret që aty të pyetej nga një gazetar. Kisha vendosur thotë t’i ngjisja këto parulla përreth Kuvendit dhe të largohesha . “Pa zhurmë”- thotë ajo.
Zamira ka dy djem dhe mendon se I ka rritur fëmijët të tillë që ta duan femrën, por ajo mendon se si ajo duhet të protestojnë të gjithë, s’ka rëndësi kundër kujt, e rëndësishme të mbrohet jeta e një gruaje. E gruas shqiptare që Zamira Korance e quan “ e shenjta , hyjnorja grua”

Në Shqipëri ekzistojnë dhjetëra shoqata e strehëza të cilat aktivizohen vetëm gjatë muajit dhjetor dhe muajit mars. Shoqata jo fitimprurëse emrat e të cilave nisin nga mos hesht e deri tek ato që ofrojnë këshillim. Por asnjë prej tyre, asnjë nga gratë e prezantuara si feministe nuk doli të protestojë. U kalua në heshtje vrasja nga ish ushtaraku i Etlevës, nënë e 3 fëmijëve dhe përdhunimi I të miturës. Ndryshe nga në Kosovë ku gjatë ditës së sotme shoqëria civile doli në rrugë dhe ngriti zërin duke protestuar për përdhunimin e një 16 vjeçare. Shoqatat e grave të Shqipëri vazhdojnë te vjelin fonde, dhe të mos bëjnë asgjë, me ndryshim të muajit dhjetor kur shfaqen nga hiçi. Shqipëria numëron 19 gra, vajza dhe të mitura të hedhura në faqen e Interpol si të zhdukura. Për to nuk dihet asgjë. Shqipëria ka jo pak vrasje grash të pazbardhura duke nisur që nga vrasja e studentes Kozeta Hyseni, Erjeta Avdylit , masakrimi i Aurora Trashanit, zhdukja e Irena Selit, apo vrasja e farmacistes Eleni Basho, që të gjitha këto krime pa autorë dhe ngjarje të harruara nga shoqëria civile , jo vetëm për të protestuar, por edhe për të ushtruar presion ndaj drejtësisë për t’u vënë në lëvizje për t’i zbardhur


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë