Lojra me Dore

E turpshme/ Kombëtares së basketbollit i mbyllen dyert e Parkut Olimpik

E turpshme, apo estradë, siç e konsideron një nga lojtarët e Kombëtares shqiptare të basketbollit për meshkuj, Endrit Hysenagolli. Kjo Kombëtare nuk është lejuar të stërvitet sot në ambientet e Parkut Olimpik, në sallën e lojërave me dorë, “Ferti Borova”. Dhe është hera e dytë që ndodh një turp i tillë, ku një ekipi kombëtar i mbyllen dyert e ambientit të stërvitjes.

Kombëtarja e basketbollit për meshkuj duhet të përgatitet për ndeshjen e fundit paraeliminatore të “Eurobasket 2021” ndaj Danimarkës, që do të zhvillohet më 21 gusht në Tiranë, por është ndeshur me këtë problem dhe më pas ka marrë rrugën drejt Durrësit për t’u stërvitur në pallatin e sportit të këtij qyteti. Vërtet e turpshme të shohësh pjesëtarët e një ekipi kombëtar të qëndrojnë në rrugë me çanta në duar.

Nga burime jo zyrtare, Gazeta “Si” mëson se shkak për këtë situatë është bërë një kontratë që duhet të firmoset mes palëve, mes drejtuesve të Parkut Olimpikt dhe Federatës së Basketbollit, por kjo gjë nuk ka ndodhur ndoshta për arsye financiare. “Vazhdon estrada shqiptare. Ekipi Kombëtar i Shqipërisë nuk lejohet të stërvitet në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova”, – shkruan basketbollisti Hysenagolli në profilin e tij në Facebook. Sido që të jetë puna, për çfarëdo lloj arsyesh, një ekip kombëtar kurrë nuk mund të trajtohet kështu.

 

Më Shumë