Gazeta Si – Vrasja e Behar Sofisë para rreth dy vjetësh është realizuar për hasmëri, ndërsa autori i dyshuar, i cili pranoi ta ekzekutojë për 50 milionë lekë, nuk e mori asnjëherë shumën e premtuar nga organizatorët.
Ernejt Shyti, ekzekutori i biznesmenit, njëherësh bashkëpunëtor i drejtësisë, ka dëshmuar këtë të premte para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Në “menynë” e grupit organizator, ishin edhe dy porosi për dy vrasje të tjera, një në Kamëz dhe një në Gjermani, të cilat Shyti i pohoi para gjykatës dhe që nuk u realizuan.
Dëshmia
Sipas tij, “Dajo” dhe “djali i ri”, janë dy nofkat që përdornin dy nga të akuzuarit për vrasjen e Behar Sofisë. Si “Dajo” ai identifikoi shtetasin Skënder Vathi, ndërsa “Djali i ri” tha se thirrej Lonard Xhixha.
Për Vathin tha se është takuar para ngjarjes tek terminali ndërqytetas i autobusëve pranë Qytetit Studenti, ndërsa ditën e ngjarjes nuk i kishte dalë në takim pranë liqenit artificial.
Nga kafazi i gjykatës, Shyti tregoi se 28 ditë ditë ka zgjatur vëzhgimi i Behar Sofisë deri para ekzekutimit në rrugë pranë Piramidës, madje tregon edhe një episod konkret.
“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milion lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di”.
Bllokimi i armës
I penduari shtoi se “ditën e krimit, nuk m’u shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllain dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës ‘Iphone’ që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një ‘Nokia’ që ma dha Leonard Xhixha”.
Sipas vrasësit, “ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shenjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”.
Gjatë seancës, pati një ndërhyrje nga kafazi i qelqtë edhe Bujar Laze, i cili tha se dikush e ka mësuar bashkëpunëtorin e drejtësisë ta përmendi biçikletën dhe që sipas tij, Ernejt Shyti po e pranonte se nuk kishte njohje me Lezën.
Dy porosi të tjera
Shyti foli edhe për dy vrasje të tjera që kishte përgatitur grupi, atë të një 34-vjeçari në Kamëz dhe të një tjetër shtetasi në Gjermani.
“Për asnjërin nuk kisha as emër as fotografi. Xhuljano Vishaj më kishte porositur, por pa më dhënë detaje. Për vrasjen në Kamëz më kishte thënë që do e kryente vetë, ndërsa atë në Gjermani do e kryeja unë përkundrejt 500 mijë eurove”.
Gjykata thirri të paraqiten në seancën e ardhshme 3 dëshmitarë, ndërsa po gjatë kësaj seance që do mbahet më datë 20 prill në orën 14:00, do të jenë të pandehurit Skënder Vathi, Xhuljano Visha, Leonard Xhixha dhe Bujar Leza, ata që do të japin deklarimet e tyre.
Si ndodhi ngjarja
Sipas dosjes hetimore, paraditen e 25 shkurtit, sapo 66-vjeçari Behar Sofia ka zbritur nga banesa e tij, është mbajtur në vëzhgim nga Leonard Xhixha, i cili me celular ka lajmëruar Ernejt Shytin për t’u bërë gati për finalizimin e vrasjes.
Goditja është kryer në kohën kur Behar Sofia ka dalë në trotuarin ngjitur Lanës. 23-vjeçari e ka ndjekur nga mbrapa, duke e qëlluar me dy plumba, dhe më pas ka marrë rrugën poshtë urës së Lanës, aty ku një ditë më parë kishte lënë biçikletën, me të cilën u largua drejt kodrave të Liqenit, me destinacion final Terminalin e Autobusëve.
Gjatë largimit nga skena e krimit, autori ka hedhur kapelën, maskën si dhe një bluzë në afërsi të një koshi te mbeturinave.
Këto prova janë gjetur nga policia bashkë me telefonin në xhepin e bluzës që kishte veshur autori ditën e krimit. Autori i dyshuar i vrasjes së Sofisë, i identifikuar nga policia shqiptare, është kapur në Podgoricë, Mal të Zi, për t’u ekstraduar menjëherë drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve, Behar Sofia, i cili konsiderohet nga policia si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.
Policia dhe Prokuroria tha asokohe se ishte vënë në ndjekje të një grupi shumë të fuqishëm kriminal me të cilin Behar Sofia, edhe pse ishte tërhequr nga aktiviteti kriminal dhe mbante një profil të ulët publik kishte hesape të pambyllura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.