Rend dhe Ligj

‘E mirë dhe e fortë’, droga në Tiranë shpërndahej me taksi dhe skuter. Sa shitej lënda narkotike në treg (detaje nga operacioni)

Gazeta Si – Grupi kriminal që shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës, i goditur nga policia të martën, përdorte taksitë dhe mjete motorike për të shmangur vëmendjen e policisë.

Katër nga personat e ndaluar punonin si shoferë taksie, të cilëve iu gjetën edhe doza me vete në momentin e ndalimit.

Sipas përgjimeve, blerësit pasi kërkonin të merrnin dozat e lëndës narkotike i specifikonin me fjalët “e mirë” dhe “e fortë”.

Droga, po ashtu shërndahej edhe me skuter elektrikë, si mënyrë e shpejtë për të mos u identifikuar nga organet e policisë.

Burime paraprake, bëjnë me dije se një dozë kokainë 0.8 gram e shisnin 7 ose 8 mijë lekë të reja, ndërsa doza më të vogla, 0.4 gram e shisnin 3500 dhe 4 mijë lekë.

Një dozë heroinë 0.3 gram shitej në vlerë 1 mijë Lekë dhe një qese hasash 500 dhe 1 mijë lekë. Droga ekstazi kushtonte 1500 dhe 25 mijë lekë për kokërr.

Anëtarët e grupit, kokainën e siguronin nga Euxhenjo Manushi, i arrestuar më herët me kokainë në makinë.

Ndërsa dozat ekstazi siguroheshin nga Ergis Noka, djali i pronarit të një portali, i cili një muaj më parë u kap bashkë me 3 persona të tjerë nga policia.

Ndërkohë, këtë të mërkurë, një prej të shpallurve në kërkim nga policia e Tiranës, është arrestuar në Gjirokastër duke e çuar në 28 numrin e masave të ekzekutuara nga 34 që janë në total.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë