Ana e errët

E mbyllën gruan në banesë: Kemi pirë drogë, duam lekë

Nga Gazeta Si - Një grua e cila u vizitua nga nipi i saj, kaloi momente të vështira pasi u kërcënua prej tij me një thikë duke i kërkuar para për drogë. Dosja hetimore e cila u mbyll në gjykatë me vendim fajësie ndaj 22-vjeçarit  A. S dhe shokut të tij A.I tregon se si dy të rinjtë terrorizuan nënën e dy fëmijëve duke e mbyllur atë në një dhomë.

“Çështja e hetuar për heqje të paligjshme të lirisë u mbyll me dy vendime fajësie nga gjyqtari P.C”, tha një burim i Gazetasi.al. Por dosja e hetuar për disa muaj nga policia e Kamzës sipas burimeve të Gazetasi.al tregon se si denoncuesja që jeton në këtë zonë u vizitua nga të rinjtë teksa gjendej e vetme me dy fëmijët e mitur.

“Nipi im A. dhe shoku i tij A.S hynë në banesë. Ai i tha djalit tim se kishte një muhabet ndërkohë që unë gjendesha në dhomën tjetër. Sapo hynë brenda të dy djemtë mbyllën derën me çelës. I thashë nipit se çfarë bënte dhe çfarë donte dhe më thanë se kishin pirë drogë dhe donin para prej meje”, ka deklaruar gruaja.

Sipas policisë, gruaja u përball me dy të rinjtë që i drejtuan asaj thikën në fytyrë.

“Për rreth 20 minuta nëna e dy fëmijëve, nipi i saj dhe shoku tjetër kanë qëndruar në të njëjtën dhomë ku ajo është mbajtur nën kërcënim dhe kur situata nuk ka ndryshuar, njëri nga të dyshuarit ka hapur derën”, shkruan policia në fashikullin që më pas u kthye objekt gjykimi pranë gjykatës së kryeqytetit.

Të dy shokët të hetuar për heqje të paligjshme të lirisë bëhet me dije se e kanë pranuar fajësinë, por kanë pretenduar se nuk kanë marrë askënd peng.

“Nuk kisha qëllim ti hiqja lirinë V., por të bëja muhabet me të. Jam i ri, kam personalitet dhe jam i penduar”, thotë A.I. Por prokuroria i hedh poshtë këto pretendime duke depozituar prova që provojnë se mbyllja me çelës në shtëpi e gruas është heqje e lirisë. Sipas shkresave të vendosura në dispozicion të Gazetasi.al, nipi i gruas kishte sipas ekspertimit psikiatrik ligjor numër 248 simptoma të çrregullimit psikotik dhe për këtë arsye ai nuk duhet ti nënshtrohet mjekimit të detyrueshëm në një institucion mjekësor. Kurse shoku i tij u dënua në aplikim të gjykimit të shkurtuar me dy vite burgim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë