Nga Gazeta ‘Si’ – Kremlini konfirmoi se vetë presidenti rus, Vladimir Putin, i ka miratuar azilin politik presidentit të rrëzuar sirian, Bashar al-Assad.
Regjimi i tij është rrëzuar në fundjavë, pas një ofensive të shpejtë të rebelëve të udhëhequr nga islamistët.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë një takim urgjent për situatën në Siri, pas rrëzimit të Assadit, i cili ka ikur në Rusi me familjen e tij, pas arritjes së rebelëve në Damask.
Përfaqësuesit rusë kanë thënë se takimi urgjent do të mbahet me dyer të mbyllura.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë, më 9 dhjetor, se teksa Putin e ka marrë vendimin personalisht për t’ia miratuar azilin Assadit dhe familjes së tij, nuk ekziston obligim për të dhënë më shumë hollësi.
“Vendime të tilla nuk mund të merren pa krerë shtetesh. Ka qenë vendimi i tij”, deklaroi Peskov.
“Nuk kam asgjë për t’ju thënë për vendndodhjen e Assadit”, shtoi ai.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, ka cituar një zyrtar të Ambasadës së Sirisë në Moskë, të ketë thënë se Assadi është në kryeqytetin rus. Këto raportime nuk janë konfirmuar.
Rusia, aleate për kohë të gjatë e Assadit, ka thënë se ai “ka vendosur të dorëhiqet”, pas “negociatave” me një “numër pjesëmarrësish në konfliktin e armatosur” dhe e ka lënë zyrën, duke dhënë udhëzime “për transferim paqësor të pushtetit”.
“Rusia nuk ka marrë pjesë në këto negociata”, ka thënë Ministria e Jashtme ruse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.