Futboll

E kërkon gjithë Europa, Bajer Leverkusen ‘blindon’ trajnerin Ksabi Alonso

Gazeta Si – Për të ardhmen e tij përfliten Liverpuli, Real Madrid dhe Barcelona, tre nga klubet më të mëdha të futbollit europian dhe botëror. Ksabi Alonso po bën një sezon perfekt me Bajer Leverkusen në Bundesligë, pa humbje dhe 5 pikë para Bajern Mynih.

Emri i trajnerit spanjoll është në qendër të merkatos, por klubi gjerman është i vendosur që ta ketë në krye të skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm. Simon Rolfes, drejtues i Bajer Leverkusen, ka theksuar: “Jam i bindur se Alonso do të qëndrojë me ne sezonin e ardhshëm.

Një gjë është kontrata dhe një gjë tjetër është se ai ndihet si në shtëpinë e tij këtu, ndihet si në familje. Ai e di mirë që ka një skuadër të mirë dhe ka mundësi të fitojë edhe sezonin e ardhshëm. Sepse nuk do të ketë ndryshime të mëdha dhe me siguri do të kemi një skuadër top. Mendoj që janë gjithë këto gjëra, përtej kontratës, që e bëjnë Ksabi Alonson dhe futbollistët që të qëndrojnë me ne”.

Megjithatë, kur të kërkojnë klube kaq të mëdha, si Liverpuli dhe Real Madrid, ku Alonso ka luajtur, vështirë se qëndrimi mund të konsiderohet i sigurt. Aktualisht, ai është një nga trajnerët më të mirë në Europë dhe Bajer Leverkusen nuk do ta ketë të lehtë ta mbajë sezonin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë