Masat e blindimit të aplikuara për Tiranë e Durrësit do të aplikohen në të gjithë Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi “karantinën” e re që do të aplikohet nga java e ardhshme.
Në një komunikim në facebook nga shtëpia ku ndodhet i vetëkarantinuar si shumica e qytetarëve, Rama theksoi se kjo masë që u mor në Tiranë, Durrës dhe në disa qytete të tjera do të zbatohet në të gjithë Shqipërinë, deri në zonat kufitare të territorit të saj.
Gjithashtu Rama tha se nga dita e sotme hyn në fuqi Akti Normatik me masa speciale për luftimin e koronavirusit, ndërsa ritheksoi edhe njëherë se numri i të infektuarve në ditët në vijim do të rritet.
“Sot hyn në fuqi Akti Normativ, që tregon masat speciale për luftimin e këtij armiku. Jemi shumë larg gjysmës, prandaj cdo ditë duhet ta përjetojmë si një fillim të ri. Të martën perimetri i blinduar do njësohet me kufirin e Shqipërisë dhe e gjithë Shqipëria javën tjetër do të jetë siç ishin Tirana e Durrësi këtë javë që kaluam. Durim, durim, durim. Do ja dalim dhe do ta mbajmë mend tërë jetën si një film horror dhe eksperiencë e jashtëzakonshme, që na plagosi rëndë, por na bëri më të fortë”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se pas apeli të lëshuar nga ministrja e Shëndetësisë për mjekë e infermierë vullnetatë ka pasur një fluks aplikimesh në të dy portalet. “Lajmi i bukur sot është se thirrje sonë për të shërbyer vullneratisht në vijën e parë të luftës me armikun i janë përgjigjur deri tani 497 mjekë dhe 617 infermierë. Gatishmëri njerëzore dhe profesionale që në këtë kohë të errët për vendin të rrënqeth mishin për humanizmin dhe patriotizmin e mbi 1000 bluzave të bardha gra dhe burra që pa asnjë detyrim janë gati të sakrifikojnë për të kuruar plagë dhe shpëtuar jetë. Mirënjohje të gjithëve. Për gjithë mjekët dhe infermierët që janë aktualisht në atë vijë zjarri paga e marsit do të ketë me një bonus prej 1000 euro, që do të vazhdojë mbi rrogën dhe në muaj në vijim deri në përfundim të kësaj lufte. Bonusi do tu jepet dhe gjithë vullnetarëve që thirren në front”, theksoi Kryeministri.
Ndërsa bëri të ditur se të hënë e gjithë administrata do të jetë pushim. “Nesër administrata do të vazhdojë të jetë pushim, nisur kjo edhe nga fakti që dita e verës pushim zyrtar qëlloi ditë të diele. Por pushim do të jenë edhe në vijim, pasi administrata aktualisht po punon me staf të reduktuar, ku nënat kanë marrë leje për të qenë pranë fëmijëve që nuk ndodhen në shkollë, apo edhe ata që janë në moshë, si më të rrezikuarit nga COVID-19. Në punë do të qëndrojnë ata që janë pjesë e shërbimeve dhe detyrave esenciale për qytetarët, siç janë edhe kompanitë që garantojnë hallkat jetike të ekonomisë së vendit”, theksoi kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



