Lojëra me Dore

E fundit e Federer, dyshe me Rafael Nadal: Është një moment special!

Gazeta Si – Një tavolinë mjaft e këndshme, ku ulen bashkë 77 Slam. Skuadra e Europës, që u prezantua para shtypit sot, është një skuadër ëndrrash. Të shihje pranë njëri-tjetrit Andi Mërrei, Novak Gjokoviç, Bjorn Borg, Roxher Federer dhe Rafael Nadal, mbetesh pa frymë.

Madhështia tenistike e gjitha në një dhomë nuk ishte parë ndonjëherë më parë. Histori e gjatë betejash, miqësie dhe rivaliteti.

‘Mbreti’ Federer do të tërhiqet pas ndeshjes në çift me Nadal, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje. Një moment historik që sa më shumë afrohet, aq më shumë ngjall kureshtje. Sepse edhe pse Federer nuk luante prej një viti, ai ishte gjithmonë aty, në foton familjare të Fab4.

Tani që ‘armata’ humb pjesën më të çmuar, edhe pse jo më fituesin në Slam-e, ku është kaluar nga Rafa dhe Nole, emocionet janë të mëdha.

Bjorn Borg, si kapiten i skuadrës, u shpreh: "Skuadra është e bashkuar, janë të gjithë gati të luajnë”. Në panel shpërthen e qeshura. “Medium…" – thotë Federer 24 orë nga lamtumira. Qesh edhe Nadal. “Ju nuk e dini, por Federerin e bëj të luajë edhe të shtunën e të dielën!" – shton Borg. Zvicerani vendos duart në kokë: "As në ëndërr!"

Rafael Nadal, rivali-mik, tha: "Pas gjithë atyre gjërave të pabesueshme që kemi ndarë brenda dhe jashtë fushe, të jem pjesë e këtij momenti historik është diçka e paharrueshme për mua. Shpresoj të jem në gjendje të bëj një ndeshje të mirë bashkë me Federer. Mund të bëjmë spektakël, apo ta fitojmë ndeshjen. Shpresoj që publiku të argëtohet. Të jem në fushë dhe të kem Roxher në krah është diçka speciale dhe jam shumë i lumtur”.

Kur erdhi momenti i kujtimeve, Gjokoviç veçoi: "Zgjedh finalen e parë Slam, Us 2007, kur humba". Federer reagoi: "Sa i sjellshëm…”, - por Nole shtoi: "Po, por me ty akoma nuk ka mbaruar. Kjo është hera e parë dhe me shumë mundësi e fundit që jemi të gjithë bashkë.

Prandaj është privilegj dhe nder të jem në këtë skuadër. Në fillim të karrierës kam humbur shumicën e ndeshjeve ndaj Roxherit dhe Rafas në Slam-e, ata më kanë ndihmuar të bëhem lojtari që jam. Nuk mund të mungoja në këtë takim historik".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë