Komunitet

Transparenca: Sa më të thellë xhepat, aq më hermetik shteti

Sa më shumë fonde kalon nëpër duar për realizimin e veprave publike përmes tenderave, koncesioneve dhe skemës së partneritetit publik-privat, aq më hermetik është institucioni. Komisioneri për të Drejtën e Informimit publikoi raportin vjetor. Për 2018 vihet re e njëjta problematikë: mungesa e transparencës gjatë shpenzimit të parave të taksapaguesve shqiptarë.

Fenomeni prek të gjitha hallkat e shtetit, që nga institucionet qendrore, e deri tek zyrat e bashkive më të vogla në vend, gjithmonë sa herë që në mes janë paratë.

“Një nga informacionet që vijon të mos publikohet është ai që lidhet me buxhetin, prokurimet dhe raportet e auditimit”, thuhet në raportin e Komisionerit.

Vërejtja është për të gjitha institucionet në nivel qendror e vendor. Në raport nuk përmenden emra institucionesh problematike, por kampionë të mungesës së transparencës janë institucionet me vlerat më të larta të prokurimeve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar është njëri prej tyre. Rasti tipik është tenderi për rikonstruksionin e Unazës së Madhe në aksin “Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja”. Ky institucion, pasi dështoi nga paaftësia apo me dashje, që të verifikonte dokumentacionin e kompanisë fantazmë “DH Albania” nuk publikoi qartësisht sipas ligjit për të drejtën e informimit koston e projektit.

Me parimin e “konfidencialitetit”, ARRSH fillimisht refuzoi kërkesat e mediave dhe qytetarëve, përfshi edhe kërkesën e gazetës “Si” për t’u njohur me koston e këtij projekti. Kur shifra prej 40 milionë eurosh për 2.3 kilometra rrugë dhe falsifikimi i “DH Albania” u zbuluan, ky autoritet e anuloi tenderin për lotin 1.

Por jo vetëm ARRSH. Në raportin e Komisionerit për 2018 vërehet se me justifikimin se publikimi i kontratave të prokurimeve publike cenon parimin i konfidencialitetit abuzojnë shumë institucione të tjera vendore e qendrore.

“Nga procesi i trajtimit të ankesave dhe hetimeve administrative është evidentuar shpesh një qasje refuzuese e autoriteteve publike kundrejt parimeve të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, e cila është materializuar me anë të referimit në parimin e konfidencialitetit, apo në dispozita ligjore të ndryshme me qëllim shmangien e bërjes publik të informacionit të kërkuar”, thotë Komisioneri.

Raporti thekson se në krahasim me vitet e kaluara ka patur një rritje të ndjeshme të kërkesave për informacion nga qytetarët. Bashkë me këtë është rritur edhe numri i ankesave në zyrën e Komisionerit. Pjesa dërrmuese e ankesave lidhet me mosmarrjen e informacionit me arsyetimin e konfidencialitetit. Nga trajtimi i këtyre kërkesave, në mbi 75 për qind të rasteve, Komisioneri u ka dhënë të drejtë qytetarëve dhe tërhequr vërejtje institucioneve.

Një tjetër problematikë vërehet edhe shmangia ndaj detyrimeve që burojnë nga ligji për të drejtën e informimit. Sipas këtij ligji, në institucionet qendrore e vendore vendosen koordinatorë për të drejtën e informimit. Neni 10 i ligjit i përcakton kompetencat, ku mes të tjerave thotë se koordinatori bashkërendon punën për plotësimin e kërkesave për informacione brenda afateve dhe mënyrës së parashikuar nga ligji.

Por çfarë ndodh? Një pjesë e mirë e institucioneve, përfshirë këtu deri në rang ministrie u shmangen detyrimeve të transparencës që u burojnë nga ligji për të drejtën e informimit duke i përcaktuar koordinatorët në nivel specialistësh.

“Konstatohet se koordinatorët për të drejtën e informimit janë në nivel specialisti dhe kanë akses të kufizuar në strukturat e tjera të ministrisë. Kjo sjell vështirësi në vënien në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar brenda afatit 10-ditor”, theksohet në raport.

Por jo vetëm qytetarët. Edhe vetë Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka rënë viktimë e moszbatimit të ligjeve në fuqi nga ana e Qeverisë. Në pesë ligje, pesë Vendime të Këshillit të Ministrave dhe një Udhëzim të Ministrisë së Arsimit Zyra e Komisionerit është shpërfillur dhe nuk është marrë mendimi i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë