Dosje

Një e afërme e porositësit të vrasjes së Nikulajt zbuloi autorët e dyshuar. Gjendet motori i ‘killerit’ portugez

Gazeta Si - Përveç pamjeve filmike të siguruara nga policia, vrasja e Ardian Nikulajt nuk do të ishte zbuluar pa ndihmën e një dëshmitareje kyç.

Mes personave që ka si provë Prokuroria e Lezhës, është dhe një femër, e cila dyshohet të jetë e e afërme e Edmond Haxhisë, porositësi i dyshuar i vrasjes së biznesmenit lezhjan.

Sipas burimeve paraprake, ndonëse nuk dihet se në çfarë rrethanash, e reja ka treguar itinerarin e motorit të autorit të vrasjes dhe praninë e të huajve në Shqipëri.

Ndërkohë, policia ka mundur të gjejë motorin skuter të vrasësit të biznesmenit e përdorur nga portugezi Saravia.

Në polici vajza që ka lidhje me autorët, ka treguar se motori është blerë në Tiranë, në zonën e "21 Dhjetorit" me kontratë noteriale.

LEXO EDHE:
Zbulohen atentatorët dhe porositësi i vrasjes së biznesmenit Nikulaj në Shëngjin

Gjithnjë sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, e afërmja e 33-vjeçarit është dëshmitarja kryesore e policisë për këtë ngjarje.

Dëshmia e saj përputhet edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonat ku kanë qëndruar të dyshuarit e deri në Rinas, duke çuar në zbardhjen e plotë të ekzekutimit të Ardian Nikulajt.

Vrasja, deri në këtë fazë hetimesh, dyshohet të ketë ndodhur për shkak të hasmërisë që Nikulaj ka pasur me fisin Lekstakaj.

Gjendet motori i vrasësit të Ardian Nikulajt

Sakaq, pasditen e kësaj të enjteje, policia ka gjetur motorin që u përdor në vrasje, i cili u zbulua në fshatin Kakarriq të Lezhës në afërsi të banesës së Edmond Haxhisë, ky i fundit person i shpallur në kërkim si organizatori dhe financuesi i vrasjes.

Ka qenë pikërish vajza dëshmitare e çështjes ajo që ka treguar për motorin që u përdor në vrasje, i cili është blerë në emër të saj, si dhe për vrasësin nga Portugalia që kishte mësuar të fliste shqip në zonën ku veproi, i rekrutuar nga Edmond Haxhia. Sipas saj, planet për atentatin mësohet se kanë nisur 5 muaj më parë.

Dëshmitarja ka treguar se vrasësi nga Portugalia ishte miqësor me banorët e zonës së Kakarriqit teksa gjithmonë i përshëndeste në gjuhën shqipe.

Po ashtu gjatë bastisjes së dhomës 302 të një hoteli, ku ka qëndruar shtetasi britanik, i cili ka pasur rolin e vëzhguesit Harry Simpson, në automjetin me targa AA837 ZM, të përdorur nga Edmond Haxhia, është gjetur një veshje hixhab grash, dhe është përftuar një profil biologjik, i njëjtë me profilin e një çamçakëzi të gjetur në magazinën e shtetasit Edmond Haxhia.

Procedurat për ekstradimin

Policia dhe Prokuroria këmbëngulin te kjo pistë, pasi Haxhia është i afërm i fisit Lekstakaj, me të cilin viktima ka psur një histori gjakmarrjeje prej dekadash në Lezhë.

Gjashtë personat që kanë bashkëpunuar për të kryer vrasjen e biznesmenit mesditën e 19 prillit brenda lokalit të tij në Shëngjin, tashmë janë shpallur në kërkim dhe po ndiqen procedurat urgjente për të dërguar letërporositë në drejtim të Portugalisë për vrasësin dhe të Britanisë së Madhe për 5 të tjerët, porositësin shqiptar Edmond Haxhia dhe 4 britanikët.

Këtë të enjte, i pyetur për ngjarjen, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka thënë se sapo prokuroria t’i ketë gati, ministria do t’i nisë sa më shpejt dokumentet me qëllim ekstradimin e tyre.

Biznesmeni Ardian Nikulaj u vra më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin nga një person i veshur me kokore dhe jelek fosforeshent. Vrasësi, i cili sipas policisë dyshohet të jetë portugezi Ruben Saraiva, zbrazi 7 plumbat e pistoletës, duke lënë të vdekur biznesmenin 50-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë