Ana e errët

E arrestuara për vrasjen e Billës, e dashura e autorit dhe e viktimës

Policia ka arrestuar një tjetër të dyshuar që ka marrë pjesë në ekzekutimin mafioz të Hekuran Billës te Komuna e Parisit mbrëmjen e 11 qershorit.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje është vënë në pranga një 26-vjeçare, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa, duke e çuar në tre numrin e të arrestuarve të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë vrasje.

Në pranga është vënë Adjola Lakra, 26 vjeç, banuese në Tiranë. Sipas policisë, 26-vjeçarja dyshohet se është bashkëpunëtore në vrasjen e Billës së bashku me Viktor Markun (vëllai i Prel Markut, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli nga Hekuran Billa) dhe Sebastian Malin (nipi i Prel Markut).

“Ajo ishte e dashura edhe e vrasësit dhe e viktimës”, kështu e përshkroi shkurt për gazetën “Si” agjenti ,Adjola Lakrën. - E moshës 26 vjeç, vajza nga Berati dyshohet që fillimisht ka pasur lidhje me Sebastian Malin, nën arrest. Nipi i Prel Markut dyshohet se e ka instruktuar vajzën që të krijojë njëkohësisht lidhje edhe me Hekuran Billën, të cilit i ka kërkuar takim. Njohja e tyre ka ndodhur përmes Instagram”, shtoi burimi i gazetës “Si”.

“Por bashkëpunëtorja në krim, pasi u lidh me Hekuran Billën dyshohet të ketë informuar njëkohësisht për çdo lëvizje të dashurin e parë, Sebastiano Malin.

Ky i fundit ndërkohë e ka përdorur vajzën e papunë, dhe e kishte lidhje të fshehtë, pasi e dashura e tij publike është Xhesika”, vijon më tej agjenti.

Xhesika sipas një dëshmie të publikuar më herët nga gazeta “Si” ka rrëfyer se pavarësisht rrëfimit të të dashurit, ajo nuk e kishte takuar mbrëmjen kur ndodhi krimi.

“Ne u takuam rreth orës 13.00 poshtë banesës sime, ndenjëm nja dhjetë minuta dhe që nga ajo ditë ne u takuam në datë 14”, rrëfen vajza në dosjen që gazeta “Si” disponon. Por që në krim ishte angazhuar edhe një femër u zbulua nga dëshmia e Arjan Tomës, punonjës në pikën e servisit, ku Sebastiano Mali mori mjetin Nissan Mikra.

Dëshmitari i tha policisë sipas burimeve policore se kur ishte kthyer në servis për të marrë mjetin e tij, ai ishte i shoqëruar me një femër.

Vajza zbriti nga makina dhe e priti dhe makina smart, ndërsa Sebastiano Mali më qerasi me një coca-cola”, tha dëshmitari. Ndërkohë që e përshkroi gjendjen e klientit  me fytyrë të skuqur dhe mbante një facoletë në dorë.

Ndërkohë edhe mamaja e Sebastian Malit ka dhënë ndihmën e saj. Sipas burimit, kur u vra Hekuran Billa, gruaja ka marrë Smartin që siguroi me qira i vëllai Viktor Marku. Emri i saj sipas dëshmitarëve ishte përdorur si alibi gjatë bisedës së Viktor Markut që lypi një makinë hua në Shkodër për pesë ditë. Dëshmitari tregon “smartin e solli një grua, tha jam motra e Viktor Markut, L. M. Ajo na tha se po i akuzonin të vëllain  në lidhje me vrasjen në Tiranë”. Në një moment dëshmitarët shfaqen dyshues dhe pyesin njëri-tjetrin mos na kanë bërë ndonjë gjë me smartin”, pastaj iu kanë dhënë fund dyshimeve me frazën ‘nuk besoj’.

Gjithashtu, në vijim të kontrolleve të shumta për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është vënë në pranga për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A. A., të cilit i është gjendur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë me një krehër 7 fishekë.

Policia thotë se vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë ngjarje.

Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetases Adjola Lakra.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë