Analize

E ardhmja e NATO-s varet nga fitorja e Ukrainës

Nga Ian Brzezinski* - NATO kremtoi më 4 prill 75-vjetorin e themelimit si aleanca ushtarake më e suksesshme në histori. Megjithatë, e ardhmja e saj si një pengesë e besueshme ndaj agresionit ushtarak, varet tani nga suksesi apo dështimi i pushtimit të padrejtë dhe brutal të Ukrainës nga Rusia.

Sukseset e dikurshme të NATO-s, janë të padiskutueshme dhe mbresëlënëse. Ishte NATO, ajo që i dha mundësi komunitetit transatlantik të mposhtte Bashkimin Sovjetik pa asnjë të shtënë arme. Po ashtu, operacionet e NATO-s sollën paqe dhe stabilitet në Ballkan, pas shpërthimit të dhunës dhe agresionit atje në vitet 1990.

Forcat aleate shfrytëzuan ndërveprimin e tyre të nxitur nga NATO, për të luftuar me guxim dhe efektivitet në Afganistan, Irak dhe gjetkë nëpër botë. Suksesi i NATO-s, i ka rrënjët jo vetëm në zhvillimin dhe vendosjen e forcave ushtarake të integruara dhe shumë të afta, por edhe tek vullneti dhe gatishmëria e padiskutueshme politike e Aleancës për t’i përdorur ato forca në luftime.

Kjo nuk u tregua askund më qartë se sa gjatë mbrojtjes që i bëri NATO Berlinit Perëndimor, enklavës së saj të Luftës së Ftohtë në Gjermaninë Lindore. Qëndrimi i ashpër dhe vendosmëria e padiskutueshme e Aleancës, shmangu pushtimin e Berlinit Perëndimor nga forcat e Traktatit të Varshavës gjatë periudhave më të tensionuara dhe të paqëndrueshme të asaj epoke.

A do të mundet ky përvjetor i NATO-s, që do të festohet edhe nga një samit i posaçëm i organizuar nga presidenti i SHBA Joe Biden në Uashington në korrik - të frymëzojë besim tek besueshmëria e ardhshme e aleancës? Dhe a mund ta bëjë këtë kur Ukraina është aktualisht në ngërç ose kur humbet territore përballë Rusisë?

Dobësimi i forcës mbrojtëse të Ukrainës, e ka origjinën tek aftësia e Moskës për ta frenuar NATO-n nga ofrimi i një ndihme më të fuqishme për Ukrainën. Një element kyç i strategjisë së presidentit rus Vladimir Putin, ka qenë kërcënimi i vazhdueshëm bërthamor për ta penguar Perëndimin të ndërhyjë drejtpërdrejtë në mbrojtje të Ukrainës.

Deri tani kjo strategji ka funksionuar më mirë sesa duhet të ketë shpresuar shefi i Kremlinit. Kërcënimet e Putinit me një luftë bërthamore, bënë që Aleanca të zotohej për “mos-dërgimin e ushtarëve të saj në front”, teksa i ka frikësuar aleatët që të kufizojnë dërgesat e tyre ushtarake në Ukrainë.

Ajo që e nënvizon efektivitetin e strategjisë aktuale të Rusisë, është çekuilibri i plotë i fuqisë midis NATO-s dhe Rusisë. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i vendeve anëtare të NATO-s është rreth 51 trilion dollarë, ose më shumë se 20 herë se PBB-ja e Rusisë.

Anëtarët e NATO-s shpenzuan së bashku 1.3 trilion dollarë për mbrojtjen në vitin 2023, ose rreth 10 herë më shumë se sa shpenzoi Rusia. Po ashtu, pajisjet dhe personeli ushtarak rus nuk krahasohen me teknologjinë dhe profesionalizmin që kanë forcat e NATO-s.

Ky çekuilibër ngre pyetjen:Si është e mundur që Aleanca nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të mposhtë me vendosmëri pushtimin e Rusisë? Kjo pyetje do të jetë e pashmangshme në samitin e korrikut.

Udhëheqësit e NATO-s, e kanë lidhur pa asnjë mëdyshje sigurinë e NATO-s me këtë luftë. Samitet e NATO-s e kanë dënuar vazhdimisht pushtimin, duke kërkuar që Rusia “të tërheqë plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet e saj nga territori i Ukrainës”.

Dhe retorika kundër Moskës është përshkallëzuar. Presidenti francez Emmanuel Macron, e përshkroi së fundmi luftën në Ukrainë si “ekzistenciale” për Evropën. “Nëse Rusia e fiton këtë luftë, besueshmëria e Evropës do të reduktohet në zero”- tha Macron, duke shtuar se lufta do të vinte më pas në kufirin lindor të NATO-s.

Ndërkohë në fjalimin e tij vjetor, presidenti amerikan tha:”Nëse dikush në këtë sallë mendon se Putini do të ndalet në Ukrainë, unë ju siguroj që jo”. Liderë të tjerë të aleancës, kanë thënë të njëjtën gjë, edhe pse jo me terma kaq alarmantë. NATO ka përpara një axhendë të gjatë dhe të rëndësishme në samitin e saj të ardhshëm në Uashington:Udhëheqësit e Aleancës do të theksojnë unitetin e ripërtërirë të NATO-s.

Ata duhet të miratojnë konceptin e tij të përditësuar për mbrojtjen dhe parandalimin. Dhe duhet të zbatojnë planet e saj të rafinuara të luftës, që tanimë po mbështeten nga rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe nga stërvitjet ushtarake më intensive dhe në një shkallë më të gjerë.

Por a do të konfirmojë samiti, se NATO mund të bazohet ende tek vullneti i nevojshëm politik për të mposhtur kundërshtarët e saj? Në rast se samiti i ardhshëm i Uashingtonit do të frymëzojë besim të vazhdueshëm tek besueshmëria e NATO-s, dhe rrjedhimisht në të ardhmen e saj, atëherë Aleanca duhet të ndërmarrë veprime për ta vendosur Ukrainën në një rrugë të qartë drejt fitores.

Dhe kjo gjë do të kërkojë një strategji që përmban 5 elementë thelbësorë. Së pari udhëheqësit e vendeve të NATO-s duhet të mbështesin pa mëdyshje objektivat e luftës të Ukrainës, pra rikthimin e kufijve të vitit 1991. Çdo gjë më pak se kjo, është një sinjal zhgënjyes për Ukrainën dhe inkurajim për Putinin që të zgjerojë pushtimin e tij.

Së dyti, NATO nuk mund të ngurojë më t’i sigurojë Ukrainës armët që i nevojiten aq urgjentisht sa kërkohen, në shkallën që i duhen, dhe pa asnjë kufizim në përdorimin e tyre kundër objektivave legjitime ushtarake në Rusi. Kjo listë përfshin avionët luftarakë, raketat me rreze të gjatë, pajisje për pastrimin e minave, tanke shtesë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Së treti Rusisë duhet t’i vendosen sanksione vërtet gjithëpërfshirëse dhe efektive. PBB-ja e Rusisë u rrit me më shumë se 3 për qind vitin e kaluar, pavarësisht sanksioneve perëndimore që synonin të pengonin përpjekjet e Moskës për luftë. Ky fakt nënvizon papërshtatshmërinë e regjimit të sanksioneve të Perëndimit.

Vetëm sanksionet e ashpra nuk mund ta ndalin pushtimin e Putinit. Por imponimi dhe zbatimi i tyre do të dobësojë makinerinë ruse të luftës, do të dëmtojë stabilitetin politik në vend, dhe do të tregojë vendosmërinë e Aleancës.

Së katërti, aleatët e NATO-s duhet ta sensibilizojnë aktivisht popullin rus mbi realitetet brutale të kësaj lufte. Komuniteti transatlantik, nuk është angazhuar aktualisht në një fushatë informuese intensive në këtë drejtim, nga frika se mos krijohet përshtypja se Perëndimi synon ndryshimin e regjimit në Rusi.

Ndërkohë, Rusia dhe aleatët e saj i kanë intensifikuar vazhdimisht fushatat e tyre të informacionit kundër Perëndimit. Samiti i Uashingtonit, duhet t’i japë Ukrainës një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO. Anëtarësimi në NATO i Ukrainës, nuk është i nevojshëm vetëm për të siguruar një paqe pas luftës.

Ai është thelbësor për një strategji fituese dhe efektive, që i jep mundësi Ukrainës të arrijë shpejt dhe me vendosmëri objektivat e saj në këtë luftë. Anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe garancia e sigurisë që vjen me të, është e vetmja mënyrë për ta bindur Putinin se Ukraina është në mënyrë të pakthyeshme pjesë e komunitetit transatlantik, dhe për pasojë nuk është më e cenueshme ndaj diktatit të tij.

Mënyra se si NATO kontribuon në mbrojtjen e Ukrainës, do të përcaktojë ndjeshëm rezultatin e pushtimit të Rusisë. Po ashtu do të tregojë shumë mbi forcën e vullnetit politik dhe të vendosmërisë së Aleancës. Kjo vendosmëri, është baza e aftësisë së NATO-s për të penguar agresionin gjatë 75- viteve të ardhshme me po me aq sukses sa gjatë 75 viteve të fundit.

*Ian Brzezinski është anëtar i grupit të këshilltarëve strategjikë në institutin “Atlantic Council”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë