Faqja e-Albania dhe faqet e tjera të shërbimeve qeveritare janë përkohësisht jashtë funksionit për shkak të një sulmi kibernetik.
Përmes një deklarate për shtyp, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, agjencia përgjegjëse për mirëmbajtjen, funksionimin dhe sigurinë e faqeve qeveritare të shërbimeve, njoftoi se sulmi kibernetik është i sofistikuar dhe me burim jashtë Shqipërisë.
“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Mbyllja e sistemeve, sipas AKSHI-t është bërë për të neutralizuar këto sulme, që agjencia i quan të pashembullta dhe të rrezikshme. AKSHI fton qytetarët dhe bizneset që ta mirëkuptojnë vendimin.
“Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike”, vijon njoftimi.
Prej 1 majit, pjesa dërrmuese e shërbimeve qeveritare ofrohet online përmes e-Albanias. Për të rritur sigurinë e këtyre sistemeve, qeveria nënshkroi një kontratë me Jones Group International, ndërsa thotë se po punon bashkë me Microsoft.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.