Ngjarje

Dyshohet se vranë arkitektin gjatë grabitjes në shtëpi, arrestohen 3 shqiptarë në Itali

Pas rreth 4 muajsh, tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali si autorë të dyshuar për vdekjen e arkitektit Roberto Mottura, 50-vjeçarit që kapi në flagrancë hajdutët në shtëpi natën midis 8 dhe 9 qershorit të këtij viti.

Sipas mediave italiane, pas provave të mbledhura nga hetuesit, duket se autorë janë tre shqiptarë, gjatë një grabitje që me sa duket përfundoi keq.

Zbulimi dhe si ndodhi ngjarja

Krimi ndodi në banesën e viktimës, në komunën Piossasco në provincën e Torinos, ku 50-vjeçari është goditur me armë zjarri dhe ka humbur jetën në sytë e gruas dhe djalit të tij 13 vjeçar.

Tre shqiptarët u kapën falë një telefoni celular, të cilin nuk e kishin fikur gjatë grabitjes e pas analizës biologjike të gjurmëve të lëna në vendngjarje.

Ata janë pa leje qëndrimi në Itali. Ndaj njërit prej tyre, rëndon urdhri i dënimit më parë nga territori italian, por i pa ekzekutuar.

Gjatë grabitjes, zhurma e shkaktuar ka zgjuar të gjithë anëtarët e familjes, të cilët kanë zbritur në katin e parë të banesës. 50-vjeçari italian, gjatë përleshjes trup më trup me grabitësit, është goditur me armë zjarri me një plumb fatal. Ai ndërroi jetë brenda pak minutash në banesën e tij e në sytë e familjarëve.

Tre grabitësit shqiptarë, kishin mundur të hynin në banesë, duke përdorur një çekiç me të cilin kishin shpërthyer një nga dritaret e katit të parë.

Vëllai i arkitektit konfirmon lajmin

“Karabinierët më kanë thirrur dhe më thanë se i kanë kapur. Vrasësit e vëllait tim janë arrestuar dhe tani shpresoj që ata të kalben në burg”, - ka deklaruar Enrico Mottura, vëllai i Robertos.

"Unë me të vërtetë shpresoj se kjo histori ka ardhur në një pikë kthese. Shpresoj kështu për familjen e vëllait tim, për prindërit e mi, për të gjithë ne. Këta muaj kanë qenë të tmerrshëm", - shton burri në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”.

“Ata janë hajdutë. Një grup hajdutësh që dilnin për të grabitur të armatosur. Por mendoni pak: për një vjedhje, ata vrasin një person për të marrë katër objekte. E gjitha kjo është një çmenduri", - shton ai. Masa e sigurisë për tre shqiptarët pritet të jepet nga gjykatësi në orët në vijim.

"I lumtur? Po sigurisht. Edhe pse, në fund të gjithçkaje, kjo është një kënaqësi e dobët, shumë e dobët, sepse vëllai im ka vdekur dhe atje është një familje e shkatërruar nga gjithë kjo dhimbje, - shton Enrico Mottura. - Të paktën ata njerëz nuk janë më aty duke bërë më shumë dëme. Tani ata janë të mbyllur në një qeli dhe do të qëndrojnë atje, shpresoj".

Flet babai

"Nuk ka kuptim, nuk ka kuptim”, -  ishin fjalët e para të thëna nga babai i viktimës, Attilio, qershorin e kaluar, menjëherë pasi mësoi lajmin.

“Roberto do të kishte mbushur 50 vjeç brenda pak ditësh, më 16 qershor. Ai jetoi për familjen dhe punën e tij. Ata erdhën në këtë kompleks 8 vjet më parë për të qenë të sigurt, para se të jetonin me mua në një shtëpi shumë më të izoluar. Këtu nuk ka asgjë për të vjedhur, ata janë budallenj. Djali im nuk kishte armiq”.

Rreth dy muaj pas krimit, Attilio Mottura kishte nënvizuar "shumë aspekte të çuditshme" të historisë.

"Nga arsyeja pse ata zgjodhën atë vend në mes të kaq shumë vilave të izoluara, deri tek arsyeja pse ata hynë nga dritarja nga rruga, ndërsa do të kishte qenë më komode të futeshin direkt brenda nga porta kryesore. Dhe pastaj, - shtoi ai, - ata kishin një armë me vete, nuk ikën kur u ndez alarmi apo edhe kur panë nusen time. Për të mos përmendur orën policore, ata rrezikuan të kontrolloheshin nga policia. Morën përsipër shumë rreziqe. Shumë”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë