Gazeta Si – SPAK ka sekuestruar pamjet filmike nga blloku i sigurisë në Tiranë, ku po mbahet i paraburgosur shefi i qarkullimit Rrugor, Roven Zeka, i cili u arrestua disa ditë më parë për korrupsion pasiv.
Sipas burimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme dyshon se Zekën e takuan në qeli disa zyrtarë sigurie, mes tyre edhe 3 shefa komisariatesh.
Sekuestrimi i kamerave është bërë me qëllim identifikimin e personave që takuan Zekën, pasi dyshimet janë se është takuar edhe një drejtor policie me të.
Më herët, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” Zekën, por edhe për Edison Tabakun, oficerin e Policisë Gjyqësore, dhe shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, të dyshuar të përfshirë në të njëjtën vepër penale.
Gjatë marrjes në pyetje, Tabaku ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën, por nuk ka dhënë deklarime më të hollësishme.
Ndërkohë, në një njoftim zyrtar, SPAK bëri me dije se aksidenti, për të cilin dyshohet se do të merrej ryshfet nga zyrtarët e policisë, ka ndodhur më 16 prill në kryeqytet, ku nga përplasja e dy automjeteve janë lënduar lehtë 5 persona.
Sipas hetimit, punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar 2 mijë euro shkaktares së aksidentit, me qëllim mosarrestimin e saj. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër.
Bashkëshorti i saj e ka siguruar shumën dhe SPAK ka provuar se ajo i është dorëzuar njërit prej zyrtarëve të policisë.
Gjatë kontrolleve të kryera pas ndalimit të tre zyrtarëve të policisë, janë sekuestruar edhe shumat 2.5 milionë lekë dhe 26 mijë euro.
“Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj”, njoftoi policia në njoftimin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.