Ka ndodhur

Dyshohet se lejuan ndërtimin e një hoteli buzë detit, arrestohen 8 zyrtarë të IMT, Kadastrës dhe Bashkisë Sarandë. Tre shpallen në kërkim

Gazeta Si - Tetë zyrtarë të Bashkisë Sarandë janë arrestuar mbrëmjen e të mërkurës pas 11 urdhrash arresti të lëshuara nga Prokuroria këtij qyteti, pasi dyshohet se kanë favorizuar ndërtime pa leje në Ksamil, Sarandë dhe zonën e plazheve.

Ndërkohë, 3 persona janë shpallur në kërkim: Mariel Murati, pronar i hotelit e njëkohësisht ish-Drejtor i ALUIZNI Sarandë, aktualisht drejtor i FSDKSH Sarandë, Kozeta Statha, ish-Drejtore e ASHK Sarandë dhe Andri Dhima, ish-Drejtor i ASHK Sarandë.

Sipas burimeve, një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës ka qenë shkaku i 11 urdhër arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës.

Hoteli në fjalë, rezulton në pronësi të ish Drejtorit të ALUIZNI-t Sarandë, Mariel Murati. Gjithnjë sipas burimeve, Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por e kishte rrënuar të gjithin duke e ndërtuar pa leje nga fillimi e duke shtuar më shume kate se sa ekzistuesi.

Pas kësaj ai ka arritur ta legalizojë objektin pa leje, hotel i cili është vendosur dhe funksionon si i tillë prej rreth 2 vitesh. Të gjitha këto veprime kanë ndodhur pasi ai e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI Sarandë dhe ishte emëruar në një detyrë tjetër drejtuese.

Sipas njoftimit të prokurorisë, bëhet fjalë për disa zyrtarë të IMT-së, legalizimeve, hipotekës dhe pushtetit lokal në Sarandë.

Nga 11 personat për te cilët është lëshuar urdhër arresti, Dhima, Statha dhe Balili rezultojnë me masa sigurimi aktive edhe për cështje të tjera penale.

Mësohet se në qeli aktualisht ndodhen vetëm 6 prej të arrestuarve, pasi Ina Papa dhe Manushaqe Saliko janë lënë mbrëmë vonë të lira, në masë të lehtë sigurimi për shkak se rezultojnë nëna të reja me fëmijë të mitur.

Hoteli i Mariel Muratit ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, ngjarje ende të pazbardhura nga policia.

Të arrestuarit

Ermen Stroka, me detyrë Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë.

Erald Lika, me detyrë Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë,

Ina Papa, me detyrë specialiste në Drejtorinë vendore të Ashk Sarandë.

Viktor Qesari, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë,

Tonin Simoni, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë.

Oltion Durmishti, me detyrë inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë.

Denis Balili, me detyrë specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë.

Manushaqe Saliko, me detyrë specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë.

"Nga policia gjyqësore vijon kerkimi për ndalimin edhe të tre shtetasve të tjerë. Personat si mësipër në ushtrim të detyrave funksionale të tyre, kanë lejuar në shkelje të ligjit ndërtimin pranë vijës bregdetare në qytetin e Sarandës të një objekti 7 katësh (hotel)  pa leje ndërtimi dhe në vijim, kanë proceduar me legalizimin e këtij objekti", - nënvizon Prokuroria Sarandë.

Ata akuzohen për veprat penale, “falsifikimi i dokumenteve”; “ndërtim i paligjshëm”; “shpërdorim i detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë