Drejtësia

Dyshohet se do të vriste politikanët, lihet në burg Antonio Leka

Gazeta Si - Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin Antonio Leka, i prangosur pak ditë më parë, pasi u kap me një arsenal armësh në qytetin e Lezhës pranë një servisi në Ishull-Shëngjin. 

Ndaj tij janë ngritur akuzat "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”.

Në deklarimet e tij para hetuesve pas arrestimit, 36-vjeçari deklaroi se kishte si qëllim vrasjen e disa politikanëve në Lezhë, duke i lidhur veprimet e tij në emër të patriotizmit, por pa treguar se ku i kishte marrë armët dhe sendet e tjera të kundraligjshme.

Arrestimi i tij mësohet se ka ardhur pas një telefonate në polici nga nëna dhe i vëllai i tij të cilët referuan rastin me frikën se i afërmi tyre mund të kryente ndonjë akt të rëndë.

Në automjetin e tij policia ka gjetur një automatik me 5 karikator, një pistoletë me 5 karikatorë të tjerë, 550 fishekë, një palë dylbi, një antiplumb, një thikë dhe një sasi lënde narkotike e llojit kanabis sativa.

Mësohet se para grupit hetimor, ai ka thënë se ishte nisur të kryente një krim ndërsa dyshohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë