Ngjarje

Dyshohet se dhunoi 3-vjeçaren në kopsht, edukatorja mohon akuzat. Pezullohen 3 policë

Gazeta Si – Edukatorja e kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve” për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare.

Gjatë marjes në pyetje këtë të martë në ambjentet e komisariatit nr.1 në Tiranë, ajo ka pretenduar se në asnjë moment nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës 3 vjeç dhe jo më t’ia ketë thyer këmbën.

Majlinda ka treguar se gjatë gjithë kohës që ka menaxhuar vajzën, ka qëlluar me vizore karrigen dhe jo fëmijën.

Goditja e karriges sipas saj është kryer me qëllim që vajza të reagonte dhe të pushonte, pasi vetëm po qante.

Ndërkohë, ajo ka pretenduar se e ka dërguar vajzën për të fjetur gjumë dhe më pas e vogla nuk ka pasur shqetësime.

Sipas saj, e mitura ka fjetur për rreth 2 orë e gjysmë dhe kur është zgjuar, i ka shprehur shqetësime se ndjente dhimbje.

Ajo ka thënë se më pas është kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën, teksa pretendon se vajza mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira.

Edukatorja, ka treguar se ngjarjen nuk e ka fshehur por e ka raportuar tek drejtoresha dhe më pas ka vijuar ka mbajtur kontakt me prindërit.

Prindërit, që denoncuan rastin në media, dyshojnë se e vogla e tyre është dhunuar në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë dhe akuzojnë edukatoret se e fshehën ngjarjen duke i njoftuar shumë vonë pasi incidenti kishte ndodhur.

Ka pamje që shfaqin se edukatorja e godet me shpulla të voglën, por është ende e paqartë se si i është thyer këmba.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra tre efektivë. Konkretisht janë pezulluar nga detyra konkretisht Komisar R. D., me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë; Nënkomisar Y. Ç., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1; Nënkomisar E. B., me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1.

Sipas policisë, efektivët nuk kanë këqyrur pamjet filmike të kamerave të ambienteve të kopshtit. Policia thekson se këqyrja e pamjeve filmike të kopshtit është bërë pas transmetimit të rastit në media.

Ministria e Brendshme dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së raportuar në Tiranë, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë