Shendet

Dyshohej për 3 viktima nga bakteri i rrezikshëm, ISHP: S'ka vend për panik

Në Shqipëri dyshohet se po qarkullon bakteri që shkakton sëmundjen e meningokoksemisë. (Meningokoksemia është një infeksion i rrallë që shkaktohet nga bakteri meningal “Neisseria”. Është i njëjti tip bakteri që shkakton meningjitin. Kur bakteri infekton membranën (cipën) që mbulon trurin dhe shtyllën kurrizore, bëhet fjalë për meningjit. Kur infeksioni qëndron vetëm në gjakë dhe nuk infekton trurin apo shtyllën kurrizore, bëhet fjalë për Meningokoksemi).

Brenda 48 orëve u dyshua se nga ky bakter kanë humbur jetën tre persona, përfshirë edhe policin 27-vjeçar që humbi jetën dy ditë më parë.

Ndërkohë, Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik, në një dalje për mediat u shpreh se nuk ka asnjë situatë nga meningjiti. Sipas Binos, vetëm një rast është konfirmuar.

“Është e transmetueshme, janë marrë masat e duhura. Kemi vetëm një rast të evidentuar, nuk kemi tre raste. Nuk mund të jap detaje për policin që ka vdekur. Të gjitha rastet kanë rezultuar negativë. Ne po monitorojmë gjithë situatën. Nuk kemi asnjë gjendje epidemike”, tha ndër të tjera Bino.

Një grua 33-vjeçare, Romina Xhakoni Myftiu ka ndërruar jetë në Durrës pasi ishte shfaqur në spital me shenja gripi. Gjithashtu, një djalë 30 vjeç nga Durrësi dhe një polic nga Durrësi kanë ndërruar jetë, për të cilët ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga se kanë vdekur.

Por çfarë është bakteri i meningokoksemisë?

Bakteri që shkakton sëmundjen e meningokoksemisë përhapet nëpërmjet sparklave apo sekrecioneve respiratore. Zakonisht ky bakter shfaqet në periudhën kur qarkullojnë dhe viroza të shumta stinore. Sipas mjekëve një pjesë e pacientëve të prekur nga ky bakter që njihet si "Neisseria", kalojnë në meningitit.

Por jo të gjitha rastet kalojnë në meningjit. Në rastin e meningokoksemisë, bakteri prek gjakun e pacientit duke shkaktuar dhe humbje të jetës. Kjo sëmundje prek më së shumti fëmijët e vegjël, për shkak të mungesës së imunitetit. Sipas mjekëve diagnoza e menjëhershme është e vështirë, pasi ka simptoma të ngjashme me një sëmundje virale.

Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekët infeksionistë thonë se nuk ka vend për panik, pasi janë raste sporadike dhe çdo vit ka të tilla. Një vit më parë humbi jetën një person. Mjekët këshillojnë vaksinim të fëmijëve për serogrupet B dhe C, që predominojnë në Europë. Por, vaksina nuk është në kalendarin e detyrueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë