Grabitja e 5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit në ngjarjen e bujshme të 9 prillit 2019 dyshohet se është pikënisja e të paktën 4 vrasjeve mafioze të ndodhura në zonën e Durrësit brenda më pak se dy muajve.
Grupi hetimor është i ngritur për vrasjen e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia janë përqëndruar në këtë pistë pas marrjes së dëshmisë nga një person i arrestuar, i shndërruar në bashkëpunëtor me drejtësinë.
Sipas dëshmisë së këtij të fundit, Anxhelo Avdia, Dorian Shkoza, Besmir dhe Viktor Haxhia janë vrarë nga e njëjta dorë me porosi të një grupi kriminal që është vënë në kërkim të parave të grabitura në Rinas, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, i konsideruar si ideatori i grabitjes.
Të dyshuarit si autorë janë shtetasit Altin Ndoci dhe Klevis Alla, përkatësisht 35 dhe 22 vjeç. News24 thotë se Altin Ndoci madje ka qënë edhe në varrimin të dy vëllezërve si i njohur e mik i tyre. Për të treta ka qënë sërish dhe ka ngushëlluar prindërit duke hedhur 50 mijë lekë në kafe. Prindërit e kanë pyetur për emrin me qëllim që të dinin kush i ngushëlloi por Altin Ndoci ka dhënë një emër tjetër, pohuan burimet nga grupi hetimor.
Dyshimet përforcohen nga fakti që i ndjeri Besmir Haxhia rezulton person i dënuar në Greqi nën një identitet tjetër dhe ka vuajtur dënimin në të njëjtin burg me Admir Muratajt. Sipas dëshmive të mbledhura nga grupi hetimor, mendohet se dy vëllezërit Haxhia dhe Dorian Shkoza nuk janë përfshirë drejtpërdrejtë në grabitje, por kanë siguruar strehim për autorët dhe kanë pasur dijeni se ku janë fshehur paratë e grabitura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.