Në kuadër të masave të sigurisë së mbarëvajtjes së stërvitjes “Defender Europe 21” është mbledhur informacion për një qytetar nga Rusia, i cili ka hyrë më 12 maj në pikën e kalimit kufitar në Muriqan dhe pas kontrollit i është gjetur një dron.
Mësohet se Vladislav Cherkasov ka deklaruar se kishte si destinacion qytetin e Durrësit, kohë kjo që përkonte me stërvitjen ushtarake të “Defender Europe 21” dhe pikërisht ky fakt ka shtuar dyshimet për ardhjen e tij në Shqipëri.
Sipas "Euronews", ai është një ndër dy qytetarët rusë që kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa Prokuroria e Tiranës e ka vënë nën hetim si të dyshuar për spiunazh. 47-vjeçari Cherkasov u largua nga vendi ynë tri ditë pasi mbërriti në qytetin e Durrësit.
Trupat e mbërritura nga 26 shtete, nën drejtimin e amerikanëve zhvilluan operacione stërvitore në portin e Durrësit, bazën ajrore të Kuçovës, Berat, Zall-Herr, Bizë, Pashaliman dhe bazën ajrore të Farkës.
Stërvitja e “Defender Europë 21”, që u mbajt nga datat 1 maj deri më 14 qershor kishte natyrë mbrojtëse dhe përqendrohej në parandalimin e agresioneve ndërsa përgatiti forcat tona për t’iu përgjigjur krizave nëse është e nevojshme.
Shqipëria ishte një ndër 16 shtetet ku u zhvillua stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 21”. Vendi ynë u përzgjodh si një nga shtete e tjera për shkak të vendndodhjes strategjike dhe faktit se ka qenë një partner i vlefshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.