Ngjarje

Dy të panjohurat e 2021

2020 u mbyll me sfidën kryesore të përballimit të pandemisë dhe viti i ri e fillon pikërisht me këtë sfidë. Shqipëria gjendet në një situatë të qëndrueshme sa i përket shifrave të infektimit, por dy muaj të tjerë të vështirë janë para.

Qeveria ka formalizuar tekstin e marrëveshjes me kompaninë amerikane, Pfizer për të nisur vaksinimin në janar.

Deri më tani Shqipëria është fokusuar tek vaksinat e Pfizer &BionTech, AstraZeneca dhe Moderna, duke mbetur të hapur dhe për vaksinën kineze apo atë ruse.

Vaksinimi pritet të fillojë me mjekët dhe infermierët duke u shtrirë më tej tek mësuesit, punonjësit e policisë dhe ata që janë më të moshuarit.

Kryeministri Edi Rama njoftoi në konferencën e fund vitit se kjo situatë do fillojë të lehtësohet në shkurt dhe gjërat do të jenë më të qarta në tremujorin e dytë të vitit. Ndërkohë, Shqipëria ka paguar 3.99 milionë dollarë si formë parapagimi për vaksinën anti-Covid19, tek aleanca COVAX për të vaksinuar rreth 20% të popullsisë.

Aleanca COVAX u krijua në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së.  

COVAX ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca. Deri tani nuk ka hapa konkret në këtë drejtim.

Ndaj dhe, Shqipëria po inicion procesin e vaksinimit me etapa duke negociuar nga të mundet.

Ndërkohë, vendin e pret një tjetër sfidë që lidhet me zgjedhjet e ardhshme parlamentare ku secila prej palëve pretendon se do të fitojë zgjedhjet.

Fushata ka filluar ende pa ardhur koha nisur nga deklaratat jo vetëm të opozitës se koha nuk pret më, se vendi ka nevojë për ndryshim e rotacion,  por edhe nga Presidenti Ilir Meta se këto janë zgjedhje plebishitare, se populli do e thotë fjalën e tij atë ditë, e deri edhe tek deklarata të tipit se nëse vidhen zgjedhjet, populli do çohet në këmbë.

Pritet një fushatë e ndezur edhe pse hera herës do të sfumohet nga situata e pandemisë dhe mënyra se si do të shkojë kurba e infektimeve.

Deri më tani ndalohen tubimet dhe aktivitet politike dhe grumbullimet mbi 10 veta. Masat që do të marrë komiteti teknik në të ardhmen mund të jenë objekt kritikash kryesisht nga opozita e cila do të kërkojë më shumë hapësirë politike në kuadër të zgjedhjeve.

Paralelisht me fushatën, qeveria “Rama” ka lënë pezull disa investime strategjike që ajo planifikon t’i mbyllë brenda këtij viti. Marrëveshja e nënshkruar për parkun e parë me energji diellore në Shqipëri, në Karavasta, do të materializohet në fillim të këtij viti ndërsa është në proces gare ndërkombëtare edhe parku i dytë me energji diellore në Spitallë.

Do të fillojë puna për ndërtimin e projektit më të madh të Skavicës, ndërsa synohet që në pranverë të nisin fluturimet e para nga Aeroporti i Kukësit.

Në gjysmën e parë të Janarit fillojnë edhe ofertat për garën e hapur tashmë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës me synimin që procesi të marrë start në verë. Ndërkohë për një tjetër aeroport po negociohet, ai i Sarandës.

Do të vijojë procesi i rindërtimit nga tërmeti. Pritet që këtë vit të përfundojë ndërtimi i 54 shkollave dhe 458 pallate në Durrës nga 615 gjithsej të dëmtuara.

Do të vijojë gjithashtu mbështetja me bonusin e qerasë për 13 mijë familje deri ditën që do kthehen në apartamentet e tyre.

Në aspektin e politikës së jashtme, këtë vit pritet mbledhja e Konferencës e Parë Ndërqeveritare që shënon zyrtarisht edhe hapjen e negociatave te Shqipërisë në bllok me Maqedoninë e Veriut në BE.

Do të shihet se si do të vijojë edhe procesi i Mini-Shengenit Ballkanik... Pra, një vit i pritshëm kryesisht, me dy të panjohura të mëdha, pandemia dhe zgjedhjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë