Ka ndodhur

Dy të arrestuar për atentatin e dështuar në Elbasan, një prej tyre kunati i Erion Alibejt

Gazeta Si - Arben Spahiu, kunati i Erjon Alibejt (ndodhet në burg për disa vepra penale) dhe miku i tij, Arsen Preçi janë arrestuar si posedues të dyshuar të 3 armëve kallashnikov që u gjetën një ditë më parë në makinën BMW X6, gati për atentatin që dështoi.

Shënjestër e atentatit dyshohet se ishte Elton Kila i njohur ndryshe edhe si Oti i Elbasanit, i cili ka shpëtuar disa sulmeve të tjera deri më tani.

Sipas policisë, në kuadër të operacionit policor “Inteligjenca”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

Arben Spahiu, 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”;

Arsen Preçi, 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Me makinën “BMË X6” pa targa dyshohet se mbrëmjen e të shtunës do të kryhej një atentat me armë zjarri në Elbasan.

Policia tha zyrtarisht një ditë më parë se në makinën e cila ishte fshehur në një magazinë, kishte gjetur 3 armë zjarri kallashnikovë, dy në sediljen e pasme dhe një në bagazh.

Gjithashtu në mjet u gjetën dhe 2 bidona me benzinë, që dyshohet se do të përdoreshin për djegien e makinës së krimit pas ngjarjes. Ndërkohë, gjatë kontrolleve pranë vendit ku ishte lënë makina, në një çantë marsup u gjet edhe një pistoletë.

Policia e Elbasanit bëri me dije se bazuar në disa informacione në rrugë operative, kishte rënë në dijeni se po përgatitej një ngjarje kriminale, duke shtuar patrullimet gjatë mbrëmjes në qytet.

Si rezultat i këtyre patrullimeve, sipas policisë, autorët që dyshohet të kenë qenë të paktën 3 persona, janë tërhequr nga plani i tyre, duke fshehur makinën në lagjen “Emin Matraxhiu”, ose ndryshe në zonën e njohur si ish-Konservimi.

Në Drejtorinë e Elbasanit u shoqëruan disa persona të cilët u morën në pyetje, teksa grupi i hetimit po gjurmon të gjitha kamerat e sigurisë në zonë, në mënyrë që të siguroj pamje të personave që kanë lënë makinën.

Mjeti u gjet në lagjen ku ka banesën një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, Erion Alibej.

Ky i fundit, ndodhet i arrestuar me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe po hetohet nga SPAK për vrasjen e Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit. Megjithatë Policia ka disa pista të cilat po i verifikon dhe ende nuk konfirmon zyrtarisht se kush ka qenë objektiv i këtij atentati të parandaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë