Ngjarje

Dy shkaktarët kryesorë të vdekjes së shqiptarëve

Në bazë të një sërë komponentësh, si mënyra e ushqyerjes, stili i jetesës, ndotjes së mjedisit e të tjera, INSTAT raporton nivelin e vdekshmërisë për vitin 2018. Nga të dhënat tregohet se në total numri i regjistruar i vdekjeve është 21.804, duke shënuar 428 vdekje më pas se viti i kaluar.  Sipas të dhënave një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve ka qenë sëmundjet e ndryshme të “aparati të qarkullimit të gjakut”, ku përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga sëmundjet e enëve të trurit me 31.7 përqind dhe sëmundja e zemrës me 27.2 përqind. Në raport thuhet se, ky grup sëmundje vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie në total  404,7 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një ulje prej 2,7 përqind.

Gjithashtu, edhe tumoret kishin shkaktuar 128.9 vdekje në 100 mijë banorë, duke pasur një rritje prej 1.4 përqind  se viti i kaluar. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të tretjes”, me 34,5 përqind dhe nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarrjes” me 24,1 përqind. Një tjetër faktor për vdekshmërinë është edhe numri i lartë i aksidenteve. Për sa i përket vdekjeve në aspektin gjinor, numri i vdekjeve të gjinisë mashkullore është 11.667, me një përcaktim prej 0,5 përqind më shumë se në vitin 2017 me shkak kryesor tumoret dhe sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut dhe 10.137 vdekje të raportuara për gjininë femërore, duke u konsideruar  4,6 përqind më pak se vitin e kaluar. Ndërsa vdekjet nga sëmundje të pa përcaktuara mirë ka shënuar një rritje prej 3.4 përqind  në krahasim me vitin e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë