Ngjarje

Dy qytetet e lashtë që “mbinë nga dheu” këtë verë në Shqipëri

Gërmime pranë fshatit Bushat, Shkodër

Arkeologjia shqiptare duket se po humbet çdo ditë e më shumë vlerën e saj. Së fundmi kanë qenë mediet britanike, që kanë tërhequr vëmendjen për dy zbulime të mëdha historike; atë në Shkodër dhe atë në Divjakë. “World Bulletin” tregon se disa arkeologë shqiptarë dhe gjermanë kanë punuar për disa muaj dhe kanë gjetur rrënoja të ndryshme, që besohet të kenë qenë shtëpi banimi, mure perimetrike dhe rrugë. Qëllimi i projektit është të krijojë një hartë të re për arkeologjinë shqiptare.

“Ne po përpiqemi të kuptojmë është se kush ka jetuar midis Apolonisë dhe Durrësit dhe ka ndërtuar këtë vendbanim. Fshati i Babunjës në Divjakë ashtu si shumë të tjerë në Shqipëri është përzgjedhur për herë të parë për kryerjen e kërkimeve arkeologjike. Organizimi urban i këtij fshati kodrinor është i përsosur: 15 rrugica  të vogla që janë të lidhura me rrugën kryesore dhe mundësojnë një dalje shumë të lehtë në qytetin e Durrësit,” tha Manuel Fidler, një arkeolog në universitetin e Berlinit.

Gërmimet në Divjakë po kryhen në pjesën kodrinore të zonës dhe do të vazhdojnë edhe gjatë muajve në vijim. Por mesa duket gjetje të tilla nuk kanë ndodhur vetëm në qytetin e Divjakës. Edhe në Shkodër ka pasur këtë verë gjetje të rëndësishme arkeologjike.

Gërmimet në Babunjë të Divjakës

Jo shumë larg qendrës së Bushatit në Shkodër, në një lëndinë që banorët thonë se është përdorur si poligon nga ushtria para viteve ‘90, një ekspeditë shqiptaro-polake ka zbuluar rrënojat e një qyteti të humbur. Gërmimet e fundit zgjatën një muaj dhe grupi i arkeologëve ishte i drejtuar nga prof.Piotr Dyczek nga universiteti i Varshavës dhe Ass.Prof.Saimir Shpuza.

Sipas mendimeve të arkeologëve, mund të bëhet fjalë për Bassanian. Qytet i ndërtuar në fund të shekullit të katërt dhe të tretë, para erës sonë nga Ardianët. Qyteti përmendet në luftërat iliro-romake të mbretit Gent dhe mendohet se mund të jetë braktisur menjëherë pas pushtimit. Mure helenistike me tre metra lartësi, një portë hyrëse dhe një kullë mbrojtëse të gjetura deri tani tregojnë për një qytet antik të fortifikuar që shtrihet deri në 20 hektarë.

Menjëherë pas mbylljes së gërmimeve Bashkia e Vaut të Dejës që shpreson se me këtë gjetje mund të nxisë turizmin në zonë, caktoi roje për të ruajtur vendin, ndërsa arkeologët pritet të rikthehen për të vijuar me zbulime të reja.

 

Më Shumë