Propozim i SI

Dy frontet që përplasen në KLP dhe pse dështoi sërish në odisenë e SPAK?

Gazeta “Si” zbardh diskutimin, në të cilin kuptohet se në Këshillin e Lartë të Prokurorisë kanë filluar që frontet të dalin hapur dhe që të përplasen. Sapo kryetari i KLP-së lexoi edhe njëherë agjendën me shtatë pika, një ditë më parë, gjashtë ore të cilave janë ndërprerje e caktime prokurorësh, njëri nga anëtarët fillimisht votoi kundër propozimeve për të futur në rend dite edhe dy çështje të tjera.

Gent Ibrahimi: Mirëmëngjesi kolegë. Sot Këshilli mblidhet me përbërje të plotë. Unë përfitoj nga rasti t’i uroj mirëseardhjen zonjës Esmeralda Keshi, mirë se i bashkoheni familjes sonë.

Por siç mëson Gazeta “Si”, nuk është urimi çështja kryesore e KLP-së, por SPAK-u, që ishte lënë në fund të agjendës së kësaj të hëne. Siç konkludohet, pasi 2 nga anëtarët propozuan zgjatjen e afatit të komandimit të tre prokurorëve dhe vlerësimin e një tjetri, Besnik Cani ka dalë në temën e nxehtë. Anëtari Besnik Cani, ish-këshilltar i Arta Markut sërish nuk ishte konsultuar me aktet dhe agjendën e KLP-së, sikurse ndodhi dy mbledhje më herët kur duhej të miratohej metodologjia për Prokurorin e Përgjithshëm, i pari që do ketë mandat shtatëvjeçar. 

Besnik Cani: Lidhur me thirrjen e mbledhjes, unë si anëtar i KLP nuk kam marrë njoftim në orarin zyrtar të punës. Email-i që kam konstatuar sot ka mbërritur tek unë në orën 16.47 , të datës 18 ditë e premte. E shtunë dhe e diel pushim dhe vetëm sot kam pasur mundësi t’i shoh disa prej akteve, kështu që propozoj që mbledhja të shtyhet. E kam thënë edhe herë tjetër. Të na jepet afati që kërkon ligji, shtatë ditë, mbledhja s’mund të vazhdojë sot për sot, sot për nesër. E kam debatuar edhe njëherë në këtë sallë, dhe do vazhdoj ta bëj, qoftë strukturat... qoftë komisioni le t’i shohin afatet dhe të njoftojnë mbledhjet, ashtu siç e thotë ligji. Në fakt, ligji ka caktuar rregull procedural si thirren mbledhjet.

Gent Ibrahimi: Ndoshta keni të drejtë për këtë çështje, anëtarët  e KLP u njoftuan drejtpërdrejt për ketë mbledhje gjatë një takimi në Vlorë, por ju munguat. Në këtë kuptim i dhamë vetes pak liri, duke qenë se të gjithë ishim aty përveç jush që mungonit.  Megjithatë, mbledhjen e deklaroj të mbyllur.

Por bëhet vërtet fjalë për çështje korrektese? Vështirë të besohet, po të mbahet parasysh se në fakt çështja e SPAK dhe e thirrjes për intervistimin e kandidatëve për prokurorë të përgjithshëm është kthyer në një lojë votash dhe kampesh brenda vetë KLP. Nga njëra anë, krahu i Prokurores së Përgjithshme po përpiqet të fitojë kohë dhe mbase edhe të forcohet edhe politikisht aq me tepër që në KLP së fundmi nuk u ul kandidati që Marku mbështeti në distancë, përderisa Vladimir Mara humbi bindshëm përballë Esmeralda Cami Keshit, e cila  nuk dihet nëse do ta ngrejë kartonin për shefen e akuzës. Ndërsa Mara është e sigurt që po. Siç mësohet në kushtet kur Marku nuk i ka të qarta votat brenda KLP, po pret të fitojë kohë me shpresën që të thirret një tjetër anëtar para KPA, i apeluar siç është Arben Dollapaj, një prokuror karriere dhe me integritet, por që mbahet ende varur nga vettingu në shkallën e dytë, çka e bën votën e tij të brishtë. Vetë Gent Ibrahimi gjatë kohës kur po diskutohej metodologjia zgjodhi të largohej në takime jashtë vendit, një distancë që u lexua si largim nga “patatja e nxehtë”, për sa kohë duhej që kreu i qeverisë së prokurorëve të siguronte mbarëvajtjen e takimeve mes anëtarëve për këtë qëllim. Njëra nga këto mbledhje u kërkua nga Besnik Cani të shtyhet dhe sa herë vjen fjala te SPAK apo prokurori i Përgjithshëm dalin përherë kleçka.

Ndërkohë, kreu i Krimeve të Rënda sikur mëson ekskluzivisht Gazeta “Si” u ka kërkuar prokurorëve në varësi të saj që të bëjnë gati inventarin e dosjeve që ata kanë, në mënyrë që ato të cilat duhet të jenë gati për në SPAK të ketë një listë me to. Nuk dihet nëse ky urdhër është i duhuri, pasi nëse zbatohet dhe dosjet nën hetim inventarizohen, atëherë mjaft veprime hetimore duhet të qëndrojnë pezull derisa të ngrihet SPAK. Por, SPAK me gjithë skemat që diskutojnë aktorët e drejtësisë shqiptare nuk mund të ngrihet me tetë anëtarë, pavarësisht se si ‘as nën mëngë’ mendohet të delegohen dy prokurorë me Vetting të kaluar, por që janë gjithashtu krahu i Arta Markut. Delegimi i njoftuar më herët edhe nga Gazeta “Si”, nëse do të kryhet do të thotë shkelje e kushtetutës për sa i përket prokurorisë me pritshmëritë më të larta. Por duket se vonesat nuk janë aq rastësore sa ngjajnë, ndërkohë që po ndodhin sikur të dirigjohen nga dikush. Edhe ILD nuk është ngritur ende, çka do të sillte disiplinim të çdo shkeljeje nga njerëzit e drejtësisë, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka stopuar Vettingun për katër kandidatë të tjerë që u listuan në SPAK e konkretisht për Anton Martinin, Elizabeta Imeraj, Doloreza Musabelliun dhe Anita Jellën, së cilës ju shty seanca dëgjimore. Nëse e gjitha po ndodh qëllimisht, pyetja është kush po ndikon në procesin më të rëndësishëm në vend?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë