Shendet

Dy fëmijë me koronavirus në Shqipëri, cilat janë simptomat e para

Epidemia e koronavirusit në vendin tonë ka prekur edhe të miturit. Lajmi është bërë i ditur nga shefja e pediatrisë në Spitalin Infektiv Gjeorgjina Kuli.

“Vetëm dy fëmijë, të moshës 0-14 vjeç, kanë rezultuar pozitivë. Njëri pa shenja, ndërsa tjetri po trajtohet në shtëpi, nuk ka nevojë për shtrim në spital”, u shpreh Kuli në një lidhje lidhje direkte me studion e emisionit “Ditari” në A2.

E pyetur për trajtimet kryesore për mjekimin e fëmijëve, Gjeorgjina Kuli tha: “Do të preferonim paracetamolin, duhen konsumuar shumë lëngje nga fëmijët dhe ushqim i shumëllojshëm. Këto janë trajtimet kryesore për mjekimin e fëmijëve.”

Shefja e pediatrisë në Spitalin Infektiv ka thënë se nëse fëmija ka shenja të rënduara të sëmundjes në 4-5 ditët e para atëherë duhet t’i drejtohet mjekut pediatër apo të telefonojë 127.

“Por, nëse pas 4-5 ditësh fëmija ka shenja të rënduara, si frymëmarrje të vështirë apo kollë të fortë, duhet të drejtohemi te mjeku pediatër ose duke komunikuar me 127-n”, u shpreh Gjeorgjina Kuli, ndërsa kur u pyet nëse fëmijët kanë pavion të veçantë, ajo shtoi “Fëmijët do të kenë pavion të tyre, me hyrje të veçantë, krejtësisht i izoluar nga pjesa tjetër e spitalit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë