Aldi Mustafa, pjesë e grupit të ‘Rrumit të Shijakut’, u arrestua një natë më parë (30 shtator) në Durrës, ndërsa lëvizte me armë me vete në makinë. Mustafa, një person me precedent të theksuar kriminal, kishte planifikuar një vrasje. Vetë policia, njofton se ai vënë në pranga ndërsa po shkonte për të vrarë dikë, por ende nuk dihet se kush ishte vënë në shënjestër.
Bashkë me Mustafën, 37 vjeç, është vënë në pranga është bashkëpunëtori i tij Klevis Kurdiu, 27 vjeç, i cili po lëvizte në të njëjtën makinë me mikun e Aleksandër Lahos, njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’.
"Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, falë inteligjencës policore se një shtetas me precedent të theksuar kriminal po qarkullonte i armatosur dhe kishte planifikuar të kryente një vrasje, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe 'Shqiponjat', kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar 'Tentativa'. Si rezultat, në lagjen nr. 15, Durrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin lëvizte shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë duke zbatuar të gjitha procedurat standarde për ndalimin e një automjeti", njofton policia.
Në momentin që është konstatuar nga uniformat blu, Mustafa ka tentuar të largohet me shpejtësi, por nuk ka mundur dot pasi është bllokuar nga shërbimet e Policisë.
Ndërkohë në mjet iu gjet një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak. Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.