Futboll

Duka shpall paketën financiare, 30 mijë lekë për këdo që është pjesë e futbollit

Me një njoftim në faqen e saj zyrtare, Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon mbështetjen për këdo që është pjesë e futbollit aktualisht, futbollistët, trajnerët dhe arbitrat, me anë të paketës financiare. Prezantimin e saj e ka bërë vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka theksuar se në këtë kohë shumë të vështirë për futbollin si pasojë e Covid-19, që ka pezulluar çdo aktivitet, “armiku” ka lëvizur shpejt dhe ka dëmtuar edhe komunitetin sportiv.

Konkretisht, të gjithë ata që janë të angazhuar me futbollin në vend, do të përfitojnë një pagesë prej 30 mijë lekësh, që i përket periudhës 15 mars-15 prill. Për këtë fond kanë kontribuuar pjesëtarët e administratës në FSHF, duke përgjysmuar pagat, por edhe stafi i Kombëtares me në krye trajnerin Edi Reja. Po ashtu, FSHF do të marrë edhe një kredi.

“Gjatë kësaj kohe FSHF është munduar të jetë afër anëtarëve të saj dhe afër shoqërisë shqiptare për të ulur atë vështirësi të jetës së mbyllur. Federata gjithashtu është solidarizuar me mjekët në Ditën Botërore të Mjekësisë, duke u dhuruar mjekëve një bluzë të kombëtares, të gjithë stafeve mjekësore që shërbejnë në vijën e parë dhe që nuk takojnë dot as fëmijët, dhe fëmijëve të tyre nga një top në mënyrë simbolike”, - tha fillimisht presidenti Duka.

“Një pjesë e komunitetit tonë futbollin nuk e ka pasion, por profesion, me të cilin jeton dhe mban familjen. Virusi e ka detyruar të mbyllet dhe mos ta ushtrojë, kështu që Federata është munduar të bëjë ndërmjetësin mes punëtorit sportiv dhe qeverisë shqiptare për të arritur të kompensojë punonjësit sportivë, futbollistë, zyrtarë etj. Kemi qenë të pasuksesshëm për të bindur qeverinë deri më sot. Në këto kushte, Komiteti Ekzekutiv i Federatës ka vendosur të miratojë një paketë financiare në ndihmë të futbollistëve, trajnerëve, arbitrave dhe gjithkujt që është i punësuar në futboll.

Kjo paketë financiare parashikon dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare siç mund të quhet, për një periudhë njëmujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekësh të rinj. Nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet. Detajet dhe e gjithë pagesa do të bëhet direkt për futbollistët, zyrtarët apo trajnerët e futbollit që nuk kanë mundësi të kenë një pagë tjetër, pra që futbollin e kanë profesion dhe nuk marrin një pagë nga një burim tjetër shtetëror.

Federata do t’i shpërndajë direkt pagesat tek individët në numrat e llogarive bankare, besoj se në mënyrë të shpejtë administrata e Federatës do ta realizojë shpërndarjen e tyre. Burimi financiar i kësaj pakete është kontributi i vetë administratës së Federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri Edi Reja dhe stafi i tij. Të gjithë pagat e larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet. Do të merret edhe një kredi financiare, të cilën mendojmë ta mbulojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm”, - ka sqaruar presidenti Duka.

https://youtu.be/jt44PBqznqk
Presidenti Duka prezanton paketën financiare. gazeta Si, 9 prill 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë