Ana e errët

‘Dua të shoh jetën time’… por më pas nisën shantazhet, si ndarjet përfundojnë në polici

Nga Gazeta ‘SI’-  Asnjë ndarje nuk ngjan me një ndarje tjetër. Por disa ish-partnerë ngjajnë aq shumë për mënyrën se si reagojnë kur gjenden përballë këtij fakti. Shumica e tyre që kthehen në përndjekjes denoncohen si persona që keqpërdorin lidhjen e mëparshme intime, duke shantazhuar e kërcënuar “ishin”. Njësoj ka vepruar edhe 40-vjeçari H.H, që në krye të një historie katër vjeçare u braktis nga e dashura.

Ky vendim i vajzës, një sipërmarrëse në Tiranë, do ishte jo vetëm një hap i ri drejt një jete tjetër, por gjithashtu edhe një nga çastet më të vështira që e përballi me çaste hakmarrjeje.  “Kur i kërkova që të ndërpresim lidhjen dhe secili të shikonte jetën nuk pashë asnjë reagim. Kuptova se kishim mbërritur në një pikë të marrëdhënies që nuk kishte më kthim pas tek ne të dy. Isha e bindur se të njëjtën gjë donte edhe partneri për të cilin kisha dyshime se më kishte tradhtuar disa herë, plus kësaj ishte i martuar dhe kjo gjë më lodhi, mbasi kisha nevojë për angazhim serioz”, - shprehet pa asnjë mëdyshje në polici denoncuesja për ish-partnerin.

33-vjeçarja nga Tirana që zotëron një qendër estetike në kryeqytet, kujton se e kishte pritur prej kohësh të dashurin të merrte një vendim duke qenë se ai i ishte ankuar për një martesë të vështirë tek e cila kishte ngecur për shkak të fëmijëve. Jo vetëm kaq, por siç rrëfen e përndjekura, në dy raste ajo thotë se u tradhtua prej të dashurit të fshehtë, dhe këto flirte ajo i zbuloi nga kontrolli i telefonit të tij.

“Pas ndarjes dhe pas një periudhe kohe, H.H më kërkoi të takoheshim dhe të rifillojmë marrëdhënien. Nuk pranova dhe i kujtova se e mira jonë ishte secili në jetë të tij. Në mënyrë të përsëritur filloi të më kontaktojë. Më ndalonte në rrugë më ftoi disa herë për kafe si rastësisht. Bënte deklarata dashurie dhe fajësie duke kërkuar ndjesë. Më pas më kontaktonte rregullisht në telefon. Kur pa se nuk po ndryshoja sjellje, nisi nga presionet se nëse nuk bashkoheshim do u dërgonte fotografitë e mia intime tek prindërit”.

Përballë shumë paralajmërimeve të tilla, e reja është detyruar të njoftojë prindërit, tek të cilët prej vitesh e kishte prezantuar H.H si shokun e saj të ngushtë dhe jo si të dashurin e saj. “Prindërit morën masë të menjëhershme duke e bllokuar në telefon dhe të njësoj veprova edhe unë. Në ditët në vazhdim ish partneri H.H më doli në rrugë dhe kur më ftoi për kafe nuk iu përgjigja. Vazhdova rrugën, atëherë ai erdhi mbas meje dhe kërkoi të sqarohej, por i thashë se nuk kisha asnjë mundësi të flisja me të përderisa po përdorte fotografitë intime. Erdhi m’u përpara fytyrës dhe më goditi me shuplakë duke më shkaktuar dëmtime”, - denoncon e reja në polici.

Policia konstaton se kontrolloi telefonin e kallëzimtares ku rezulton se ajo e kishte fshirë numrin e 40 vjeçarit dhe se ky numër ishte tek numrat e bllokuar. Ndërkohë në telefonin e përndjekësit të arrestuar  janë gjetur në një folder të arkivuar dhjetëra fotografi intime të të resë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë