Shpërndarësit e drogës vazhdojnë të vënë në pozitë aspak të favorshme policinë pavarësisht se gjatë pandemisë postblloqet në Tiranë dhe patrullat nëpër lagje janë shtuar ndjeshëm. Siç rezulton nga analizimi i të dhënave mbi aksionet e policisë, kryesisht gjatë nëntë javëve karantinë janë ndaluar vetëm përdorues dhe fare pak shpërndarës. Ka raste kur përdoruesit veprojnë si përherë, pohojnë se nuk e njohin shpërndarësin që u shiti dozat.
“Ku e bleve hashashin, e pyeti një agjent i antidrogës – Gj. A? Dhe ai përgjigjet në procesverbalin që Gazeta Si disponon: Jam prej 10 vitesh përdorues, kësaj radhe e bleva te dikush që nuk e njoh në afërsi të Kinostudios. Ndërsa patrullat që e konstatuan të riun me katër gramë hashash shkruajnë në procesverbal se i dyshimti u zbulua në rrugën “Azem Galica”, shtetasi GJ.A kundërshton gjetjet e policisë. “E kam për përdorim vetjak dhe nuk e njoh kush ma shiti për 500 lekë, në Tiranë hashashi është produkti më i lehtë për t’u gjetur”.
Por, Covid-19 ka sjellë një tjetër argument nga përdoruesit, ose stresin, ose gjetjen në rrugë të dozave.
Të gjithë përdoruesit e hashashit që u kapën nga autoritetet gjatë pandemisë ngjan se nuk u mungon ironia sapo janë konstatuar dhe kjo kuptohet nga dëshmitë e tyre. “Ditët e para përdoruesit justifikoheshin me mbylljen në shtëpi dhe se kishin dalë për të pasur rezerva nëse do qëndronin gjatë të mbyllur”, thotë në anonimitet për Gazetën “Si” një agjent i antidrogës. Ndërkohë që ditët e fundit kur ka filluar të ketë liridalje të shtuar, përdoruesit po përdorin stresin si argument. A. P u konstatua nga policia në datën 2 maj në rrugën “Dritan Hoxha”. Ai mbante në dorë një paketë cigare, por si të tjerët e ka tradhtuar stresi sapo ka evidentuar automjetin e policisë. Kur efektivët e kontrolluan nuk gjetën asgjë në xhepat e tij. “Në brendësi të qeses me mbishkrimin tarabosh ai kishte 0.2 gramë hashash”, raporton oficeri i policisë që e kqyri. Por i riu ka ngritur supet dhe ka shtuar se “kjo ka mbetur në qese nga lënda që kisha më herët dhe që më duhej për stresin, as që e dija që kishte mbetur edhe pak”, deklaroi i dyshuari. Por i riu nuk u arrestua në të vërtetë për lëndën narkotike që konsiderohet fare e papërfillshme, por për një kleçkë tjetër, shton burimi policor i Gazetës “Si” pranë antidrogës. A. P nga kontrollet e mëpasshme u zbulua që ishte një person i kërkuar për largim nga banesa, sipas denoncimit të familjarëve të tij nga Kurbini që nuk dinin se ku gjendej i biri. Policia shpjegon se veç përdoruesve për shpërndarësit, veç patrullave të befta, ndihmë kanë dhënë telefonuesit anonimë.
“Një djalë i ri këtu në Sauk mendoj që po shet drogë. Ai është i veshur me një xhup ushtarak dhe me tuta të zeza”, kjo ka qenë telefonata anonime që ka sjellë dërgimin e shpejtë të Forcave Shqiponja në Sauk. Siç kishte treguar edhe telefonuesi, aty u gjet një 17-vjeçar me inicialet E. M që deklaroi në prani të psikologut dhe të prindërve “lëndën e gjeta në rrugë, e kam për përdorim vetjak”. Policia shpjegon se telefonatat për përdoruesit dhe shpërndarësit çuditërisht kanë qenë të shpeshta gjatë pandemisë Covid-19.
Telefonata tjetër që ka “zgjuar”policinë ka denoncues një burrë anonim që u tha efektivëve “në rrugën Fitnete Rexha po konsumohet drogë. Ejani shpejt”. Aty u gjetën siç kishte treguar qytetari F. I dhe E. M. Antidroga përshkruan “njëri nga të rinjtë kishte një thikë në brez, ndërsa afër në tokë kishte një shishe plastike me një sasi uji e mbyllur me tub plastik, të nxjerrë në anësore. Shishja në grykë ishte e mbyllur me një letër alumini që dyshohet se ishte krak”. Njëri nga të dyshuarit pranoi se ishte përdorues i kokainës dhe se grykën e shishes së ujit e kishte djegur për pak krak. Edhe ai tregoi se e kishte gjetur.
Të njëjtën batutë ka gërmëzuar edhe një i ri tjetër me inicialet M. A që u kap në rrugën Migjeni. “Kokainën e gjeta në një lokal kur isha duke pastruar tavolinat ku punoja si kamarier. Jam përdorues i rrallë i drogës, kisha harruar që kishte mbetur në çantë”, deklaroi i riu.
Se si gjendet droga nëpër rrugë apo në kosha plehrash e shpjegon një tjetër i arrestuar. Shtetasi me inicialet G. D, edhe pse u spiunua nga një telefonatë anonime, 27-vjeçari shpjegon se një sërë sendesh të ndaluara i kishte gjetur në një kosh plehrash. “Në lidhje me dorezën, shkopin metalik, shkopin e gomës, fishekët dhe të tjerat i gjeta në kazanët e plehrave të lagjes. I largova se ishin të rrezikshme për fëmijët që luajnë në lagje ndaj i largova, do ta merrja vetë policinë”. Por të gjitha këto konsiderohen justifikime nga policia, për aq kohë sa kundër të dyshuarve flasin dozat me hashash apo kokainë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.