Gazeta Si - Dy grupe kriminale që shpërndanin drogë në gjimnaze dhe lokale nate, janë goditur nga Policia e Tiranës.
Gjatë operacionit, janë arrestuar 20 persona, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim. Policia bëri më dije së janë sekuestruar 2 kg kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, 5 mln lekë, 11 automjete dhe 29 aparate celulari. Mes tyre vihet re se të dyshuara janë edhe 3 femra, identiteti i të cilave ende nuk është bërë i ditur.
Në videon e publikuar nga policia, duken efektivët e Forcave Operacionale që hyjnë në aksion dhe arrestojnë disa nga personat që ishin pjesë e grupeve kriminale që shpërndanin kokainë, heroinë dhe kanabis në zona të ndryshme të Tiranës. Të dyshuarit, ndiqen me makinë ose arrestohen befasisht duke qëndruar në lokal.
Ata vepronin të ndarë në grupe të vogla dhe shpërndanin në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kamzës që frekuentohen nga të rinj.
Hetimet kanë zbuluar se ata përdornin mesazhe të koduara dhe për t’iu shmangur kontrolleve të befasishme të policisë qarkullonin me automjete të transportit publik.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit: F. Q,. 39 vjeç , D. I., 23 vjeç 3. R. L., 22 vjeç, E. H., 25 vjeç, D. Ç. 31 vjeç, E. M., 60 vjeç, F. B., 37 vjeç, M. K., 35 vjeç, M. Gj., 31 vjeç, M. H., 39 vjeç, M. T., 31 vjeç, P. Sh., 40 vjeç, E. Xh., 47 vjeç, A. Ll., 45 vjeç, A. Xh., 51 vjeç, I. L., 26 vjeç, M. V., 44 vjeç, F. P., 25 vjeç, E. K., 35 vjeç, J. H., 32 vjeç. Gjithashtu u shpallën në kërkim 4 shtetas të tjerë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, bëri me dije detajet e operacionit, ndërsa ftoi qytetarët të bashkëpunojnë me policinë për goditjen e rasteve abuzive dhe kriminale.
"Theksojmë faktin se gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë finalizuar 5 procedime proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë, janë mbi 6 kilogramë kokainë e heroinë dhe rreth 80 kilogramë kanabis, si dhe janë vënë në pranga mbi 20 persona. Rezultatet e arritura tregojnë anagazhimin, përkushtimin dhe vendosmërinë e strukturave të Hetimit të Narkotikëve në DVP Tiranë për të goditur këtë veprimtari kriminale", - tha Vocaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.