Gazeta Si – Tetë raste vetëm brenda muajit prill janë zbuluar në Shqipëri nga autorittet për trafikun e kanabisit me postë nga SHBA-të.
Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me policinë, thotë se kanabisi, me përqindje të lartë THC transportohej nga përtej Oqeanit drejt Shqipërisë nëpërmjet pakove postare.
Sipas organit të akuzës në kryeqytet, ky fenomen është zbuluar nëpërmjet hetimeve proaktive dhe i shtrirë në pothuajse gjithë territorin e vendit.
Vetëm gjatë muajit të fundit, Prokuroria e Tiranës ka identifikuar raste të këtij lloj trafikimi në qytetet: Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan e Vorë. Ndërkohë që hetimet vijojnë për raste të tjera.
Deri më sot, në tetë rastet e zbuluara janë sekuestruar në total 15.2 kg cannabis me përqindje të lartë THC, ndërkohë që janë arrestuar dhe shpallur në kërkim si të implikuar në këtë veprimtari kriminale, 12 persona.
Një pjesë prej tyre, janë arrestuar në flagrancë në momentin e marrjes në dorëzim të pakove me cannabis në degë të ndryshme të Postës Shqiptare.
Prokuroria e Tiranës bën të ditur se hetimi po shtrihet edhe më gjerë në përpjekje për të zbardhur të gjithë zinxhirin e përfshirjes në këtë veprimtari kriminale dhe për të parandaluar përsëritjen e kësaj metode të trafikut të drogës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.