Gazeta Si – Një punonjës policie dhe dy shtetas janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Basti i fundit”, pas një hetimi për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në pranga ka rënë efektivi i policisë Lutfi Dervishi, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Fushë-Krujë. Ai dyshohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 119 fishekë model 9 mm.
Gjithashtu u arrestuan edhe Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga, banues në Arrameras të Fushë-Krujës. Ata dyshohen për organizim të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në ambientet e hetuara, autoritetet sekuestruan katër pajisje elektronike të dyshuara për lojëra fati, dy serverë ose njësi kompjuterike që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm, një pajisje DVR, tre telefona celularë dhe lëndë të dyshuar narkotike.
Sipas policisë, u gjetën disa qese me lëndë të dyshuar narkotike me peshë totale rreth 6.6 gramë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje