Ngjarje

Laborator kokaine në Fier, droga vinte nga Kolumbia. Në pranga 15 persona

Gazeta Si - Një laborator i përpunimit të drogës, i llojit kokainë, është zbuluar këtë mbrëmje në fshatin Frakull e Madhe të Fierit.

Deri më tani 15 persona janë vënë në pranga si pasojë e një operacioni të DEA-s amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë e Malit të Zi.

Sipas burimeve të policisë, lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia dhe ka mbërritur në korrik në portin e Tivarit dhe prej asaj kohe është mbajtur nën vëzhgim.

Ndërtesa ku ndërhyri policia, është në pronësi të ish-kryetarit të Komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku, ku u gjetën thasët me pleh kimik, të cilët u morën nga policia me kamion për t’i kontrolluar.

Gjatë ditëve të fundit kokaina është tërhequr nga shtetas shqiptar dhe është transportuar për në Fier mes plehrave kimikë.

Por hetuesit kanë vendosur që ta mbajnë në survejim deri kur të shkonin ta merrnin porositësit që të bënin identifikimin e tyre.

Mësohet se nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë kanë ardhur 400 kilogramë pleh kimik e përzier me kokainë. Për këtë arsye ishte ndërtuar edhe laboratori që do të merrej me përpunimin e lëndës narkotike.

Lajmi për operacionin e përbashkët policor u raportua më herët edhe nga mediat malazeze. Gazeta "Vijesti", shkroi se sasia e lëndës narkotike u dërgua në portin e Tivarit korrikun e shkuar.

Edhe në këtë laborator policia gjeti sasi të plehrave kimik, që përdoreshin për fshehje të aktivitetit kriminal, të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, ndërsa arrestoi 15 persona.

Të përfshirë dyshohet se janë edhe dy shtetas kolumbian, roli i të cilëve pritet të zbardhet nga autoritetet.

Katër prej të arrestuarve janë vënë në pranga në Tiranë: ata janë Bledar Matoshi, 33 vjeç; Kid Koshena, 28 vjeç; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç dhe Redion Meshi, 22 vjeç.

Policia njoftoi këtë të enjte se katër të rinjtë u ndaluan pasi udhëtonin me makinën tip “Range Rover”.

Atyre iu gjetën 2 pistoleta dhe krehra me municion luftarak. Ndërkohë në shtëpinë e 22-vjeçarit Meshi u sekuestruan 2 kallashnikovë së bashku me sasinë e municionit luftarak.

Të rinjtë kanë dalë në përgjime dhe mbaheshin në vëzhgim prej disa kohësh. Ndërkohë në ambientet e laboratorit, policia ka sekuestruar armë, dy kallashnikovë, një shotgun dhe një çifte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë