Politike

Dritë jeshile për të udhëtuar në SHBA? Berisha: Vendim që shpërblen demokratët

Nga Gazeta ‘Si’- Berisha e konsideroi si ‘shpërblim’ qëndrimin e Departamentit të Shtetit, i cili i pyetur nga gazetari amerikan, Marc Caputo, tha se kreu i PD mund të udhëtojë drejt SHBA-së.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ky vendim nga administrata e Trump është një vendim për t’u përshëndetur dhe i jep sipas tij, përgjigjen përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë.

“Ky vendim i një rëndësie të madhe, shkëputjes dhe mospranimit të vendimeve politizues, përpjekjeve të administratës së mëparshme që për shkak të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, të ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi, aty ku e kanë vendin.

Me këtë rast, unë falënderoj DASH, sekretarin Rubio, administratën e re dhe presidentin Trump për këto qëndrime jashtë zakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë”, tha Berisha.

Ai u shpreh gjithashtu se ky vendim nxjerr sipas tij para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, “që vendimet politike të godisnin opozitën konservator në Shqipëri.”

I pyetur më pas nga gazetarët se kur do të udhëtojë për në SHBA, Berisha tha se aktualisht ndodhet në fushatë elektorale dhe ditët kulmore të saj para zgjedhjeve të 11 majit, por nëse do të gjendej në një kohë më të përshtatshme do të kishte bërë udhëtimin përtej Atlantikut.

“Unë vendimin e mora vesh mbrëmë, në të njëjtën kohë që e morët vesh dhe ju. Nuk kisha ndonjë plan për udhëtim dhe natyrisht nuk mund të them se do të udhëtojë këto 2-3 ditë sepse janë ditët e kulmit të fushatës. Sigurisht në një kohë më të përshtatshme do kisha shkuar, por ky vendim nuk humbet vlerë, është një vendim jashtëzakonisht i çmuar”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë