Drejtësia

Drejtoria e Burgjeve i përgjigjet SPAK-ut: Veliaj rezulton i padënuar, tre vendime pafajësie ndaj tij

Nga Gazeta ‘Si’- Drejtoria e Burgjeve ka reaguar pas deklaratës së bërë nga SPAK ku shkruhej se statusi për gjendjen gjyqësore për shtetasin Erion Veliaj, është marrë nga ky institucion.

Drejtoria e Burgjeve sqaron se pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, si dhe në bazë të kërkesës së SPAK për vërtetim të historikut të Erion Veliajt, ka rezultuar se ky individ është i padënuar më parë dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.

“Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, vijon shkresa.

Kujtojmë që sot, SPAK sqaroi gjendjen gjyqësore të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ku në dosjen e SPAK ishte shkruar i “dënuar”.

Nëpërmjet një njoftimi për mediet, SPAK tha se në kërkesën për “caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal”, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shtetasin nën hetim E.V, Prokuroria e Posaçme nuk i është referuar për asnjë moment gjendjes së tij gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë