Drejtori i Administratës së të Ardhurave dhe Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviç, është arrestuar më 1 tetor me urdhrin e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e një zinxhiri, që ka kontrabanduar një pjesë të cigareve që u konfiskuan këtë verë në Zonën e Lirë Doganore në Portin e Barit.
Në këtë port, sipas të dhënave britanike, mbi 2 miliardë tonë cigare kontrabandohen çdo vit. Këtë verë, autoritetet kanë kryer tri aksione të konfiskimit. Më 12 qershor u konfiskuan cigare në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, më 14 qershor u konsifskuan 1.2 milionë euro cigare dhe në mesin e majit u konfiskua duhan në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh, kishte thënë atëbotë kryeministri Dritan Abazoviç.
Përveç Millosheviçit, edhe disa persona të tjerë u arrestuan në Nikshiq dhe Podgoricë në operacionin e Departamentit të Policisë Speciale, që u krye me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit dhe të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Të arrestuarit dyshohen se kanë marrë pjesë në kontrabandimin e duhanit të konfiskuar, që dyshohej se ishte djegur në disa furra në dy fabrika në Mal të Zi.
Zyra e Prokurorisë së Posaçme beson se një pjesë e pakove të cigareve që nuk u dogjën, ashtu siç ishin raportuar në dokumentet e Administratës së të Ardhurave dhe Doganës, ka përfunduar në zinxhirin e kontrabandës.
Në ngjarjen ku u dogjën cigaret, që u zhvillua më 30 shtator, kishte marrë pjesë edhe kryeministri Abazoviç dhe Millosheviç, i cili kishte deklaruar se shkatërrimi i cigareve i kryer nga Administrata e të Ardhurave dhe Doganës, paraqet një goditje të madhe për grupet kriminale të përfshira në kontranandimin e cigareve.
Ky nuk ishte aksioni i vetëm për shkatërrimin e cigareve.
Në mesin e vitit, po e njëjta administratë kishte organizuar shkatërrimin e cigareve në fabrikën në Javorak.
Një orë para se të njoftohej arrestimi i Millosheviçit, kryeministri Abazoviç dhe ministri i Brendshëm, Filip Anzhiç, mirëpritën aksionin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme në parandalimin e kontrabandimit të cigareve.(REL)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.