Rend dhe Ligj

Drejtësia hedh në konsultim ligjin për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale dhe trafikimit. 18 mln euro në 6 vite

Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik Strategjinë e re Kombëtare për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024-2030. Pjesë e dokumentit është dhe propozimi për hartimin e një ligji, i cili do të detyrojë autorët e krimit që të kompesojnë financiarisht viktimat e trafikimit dhe ato të dhunës seksuale.

“Një vëmendje e shtuar në këtë strategji është hartimi i një programi për kompensimin e viktimave të krimit të trafikimit dhe dhunës seksuale nga autori i veprës penale ose shteti,” thuhet në dokument.

I gjithë plani i veprimit parashikohet të shoqërohet me kosto shpenzimesh në vlerën e 1,9 miliardë lekëve apo 17,9 milionë eurove përgjatë periudhës 2024 – 2030.

Për periudhën afatmesme 2024-2026, kostoja është vlerësuar rreth 581,2 milionë lekë, të cilat janë planifikuar në buxhetin vjetor dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2023-2025, të institucioneve përgjegjëse për realizimin e masave.

Për këtë qëllim në strategji thuhet se do të krijohet fondi kombëtar i kompesimit.

“Strategjia parashikon krijimin e fondit të përgjithshëm të kompesimit, ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për kompensimin viktimave, monitorimin procesit të kompensimit të viktimave në praktikë,” thuhet në dokument.

Shqipëria nuk ka ende një skemë për kompesimin e viktimave që bien pre e krimeve të trafikut apo atyre seksuale. Strategjia e hartuar nga ministria e Drejtësisë nuk zbulon se sa do të jenë shumat e kompesimit për viktimat e trafiqeve dhe dhunës seksuale.

Por një skemë të ngjashme kompesimi e ka Kosova, ku të dëmtuarit kompesohen menjëherë financiarisht me një shumë deri në 3 mijë euro.

Për periudhën 2027-2030, kostoja indikative për zbatimin e Strategjisë është rreth 1,1 miliardë lekë. Për këtë periudhë është supozuar që për aktivitete të caktuara në Planin e Veprimit do të jenë në dispozicion fondet nga Buxheti i Shtetit për shpenzime korente dhe investime.

Në dokument theksohet se plani i veprimit do të rishikohet pas 3 vitesh (në vitin 2027) për të përshtatur progresin në zbatimin e masave konform nevojave dhe shpenzimeve buxhetore afatmesme. Efektet e masave zbatuese do të maten për herë të parë në 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë