Ngjarje

“Drejtësi për Xhorxh Floid”, sporti lëshon britmën e dhimbjes në Amerikë

Amerika është e indinjuar. Protestat për vdekjen e Xhorxh Floid, i vrarë më 25 maj në Mineapolis teksa arrestohej nga policia, kanë prekur edhe botën e sportit, NBA-në veçanërisht, gjithmonë shumë e ndjeshme ndaj temës së diskriminimit ndaj afro-amerikanëve. Tani është i gjithë sporti që ngre zërin fort dhe thotë “Mjaft!”

Postimi i shumë sportistëve me fjalët e fundit të Floid dhe momenti i vdekjes së tij. Gazeta Si, 29 maj 2020

Ulërima më e fortë e dhimbjes është ajo e Stefen Xhekson, sot 42 vjeç, veterani me 14 sezone në NBA. Ai e njihte Xhorxh Floid, madje shumë mirë. “Na quanin binjakë”, – shkruan ai në një seri postimesh në Instagram, duke kujtuar miqësinë e vjetër me viktimën. Xhekson dhe Floid kanë qenë në të njëjtin lice dhe kishin mbetur miq edhe kur jeta i ndau në rrugë të ndryshme. “Xhorxh kishte shkuar në Minesota për të ndryshuar jetën e vet, – shkruan Xhekson për Floid. – Punonte me kamion dhe po përpiqej të sistemohej. Askush nuk ishte më krenar për atë që kisha bërë në jetën e vëllait tim Xhorxh. U prehsh në paqe! Kishe ndryshuar dhe tani përfundon në këtë mënyrë…”.

Stefen Xhekson, mik i ngushtë me viktimën. Gazeta Si, 29 maj 2020

Shumë qytetarë amerikanë kanë protestuar në rrugët e qytetit për ngjarjen dramatike, ndërsa protesta e sportistëve amerikanë është bërë nëpërmjet rrjeteve sociale. Pas vdekjes së Floid, shumë prej tyre kanë hedhur në profilet e tyre montazhin e postuar edhe nga LeBron Xhejms, atë të policit që mbante gjurin në qafën e Floid, duke e vendosur përkrah Kolin Kaepernik, i ulur në gjunjë gjatë himnit kombëtar para një ndeshjeje të NFL-së, duke protestuar për padrejtësitë sociale. “Ja pse!”, shkruhet me shkronja të mëdha në postim.

Postimi i LeBron Xhejms pas ngjarjes. Gazeta Si, 29 maj 2020

Rei Alen ka qenë ndër më të prekurit nga ngjarja dhe e ka treguar gjithçka me disa kujtime. “I can’t breathe” (nuk mund të marr frymë), fraza që Floid u tha disa herë 4 agjentëve të policisë që e kishin arrestuar, u shfaq në profilet e shumë sportistëve. E njëjta që në vitin 2014 ishte shkruar në një fanellë që kishin veshur gjatë nxemjes shumë lojtarë, pas vrasjes në Nju Jork të Erik Garner, 43-vjeçarit që iu mor jeta nga një agjent policie gjatë arrestimit.

Shumë sportistë të tjerë kanë postuar një foto të Xhorxh Floid, me fjalët e fundit me të cilat ai kërkonte ndihmë i dëshpëruar. “Ju lutem, nuk po marr dot frymë. Më dhemb stomaku. Më dhemb qafa. Më dhemb gjithçka. Po më vrasin”. Të tjerë sportistë, duke filluar nga basketbollisti Donovan Miçell i Jutah, kanë ripostuar fjalët e aktorit Uill Smith: “Racizmi në këtë vend nuk po përkeqësohet, tani po filmohet”.

Postimi i Stefen Kërrit për Floid, Gazeta Si, 29 maj 2020

Në Mineapolis protestat janë shtuar, kurse skuadrat sportive të qytetit kërkojnë drejtësi për Floid. Universiteti i Minesotës ka bërë me dije se nuk do të ketë më policë lokalë në eventet që organizon, duke përfshirë këtu edhe ndeshjet. Në faqen e “ujqërve” është postuar qëndrimi i Gerson Rosas, presidenti i basketbollit që kërkon drejtësi për Floid me një foto të tij dhe këto fjalë: “Heshtja kur ndodh diçka e keqe, është një e keqe. Zoti nuk ka konsideron të pafajshëm”.

Në njoftimin e policisë për ngjarjen është thënë se Floid ishte në efektin e lëndëve narkotike, ndërsa pamjet filmike të arrestimit kanë bërë xhiron e botës. Në Amerikë ka pasur këto ditë reagime të ashpra dhe protesta të mëdha.

Protestat në Mineapolis për vdekjen e Floid. Gazeta Si, 29 maj 2020

Më Shumë