Ngjarje

‘Drejtësi për Liridonën’, aktivistët protestë në Tiranë. Ambasadori Durmishi: Rasti ka shokuar Kosovën

Nga Gazeta 'Si'- Dhjetëra gra e aktivistë u mblodhën sot para Ambasadës së Prishtinës në Tiranë, në protestë kundër dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Liridona Murselit në Kosovë.

Protestës iu bashkua edhe ambasadori i Prishtinës në Tiranë Skënder Durmishi, ndërsa bënë thirrje për ndaljen e dhunës dhe drejtësi për Liridonën.

“Gjyqtarët në gjykatën e Prishtinës e dëgjojnë dhunuesin duke thënë 'unë e kam rreh dhe e rrehi prap', edhe nuk u intereson, shtyjnë seanca. Mund të gjej justifikime sa duash për të mos bërë burgun dhe në këtë formë dhunuesi qëndron i lirë dhe është i aftë të kryejë krimin. U bëj thirrje avokatëve dhe juristëve mos u joshni nga paratë e burrave milionerë që qëndrojnë në krah të politikës, biznesmenëve, e atyre që kanë në dorë sistemin e drejtësisë. Ata nuk e dinë se sa herë na vijnë te zyra juridike dhe kërcënohemi nga burrat që janë në zgjidhje martese. Drejtësi për Liridonën”, tha një prej aktivisteve.

Sipas Durmishit, kjo është një ngjarje që ka shokuar të gjithë, ndërsa u shpreh se drejtësia do të thotë fjalën e saj për këtë krim kaq monstruoz.

“Unë dola t’iu takoj para derës së ambasadës. Është një iniciativë njerëzore dhe ju falënderoj për ndjesinë që tregoni për një rast që ka tronditur Kosovën që është e shtanguar dhe në shok të vërtetë. Protesta juaj është për t’u përkrahur dhe thirrjet tuaja për drejtësi për Liridonën dhe për çdo grua. Drejtësia të thotë fjalën e vet për një krim kaq monstruoz siç ndodhi me Liridonën”, tha ai.

Në fund të protestës, aktivistet ndezën qirinj në nder të 30-vjeçares së vrarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë