Interviste

Drejt zgjedhjeve, 1 mln karta identiteti skadojnë, Doracaj: Thjeshtuam procedurat për aplikime

Rreth 1 milion shqiptarë mund të mos votojnë dot në zgjedhjet e 25 prillit nëse nuk do të rinovojnë dokumentet e identifikimit biometrik. Shifra e depozituar përmes një shkrese drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme konfirmohet për “Gazetën Si” nga kreu i kësaj drejtorie, Bledar Doracaj.

Doracaj thotë për “Si” se kohët e fundit është vënë re një shtim i lehtë i fluksit të aplikimeve, edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të këtij institucioni drejtuar qytetarëve për të aplikuar. Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania “Aleat” kanë marrë të gjitha masat për të përballuar flukset, ndërsa përsërit thirrjen për të aplikuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile deklaron se procedurat e aplikimit janë thjeshtuar në minimum, pa cenuar besueshmërinë e dokumentacioneve të lëshuara, ndërsa nënkupton se mundësia e zgjatjes së vlefshmërisë për një pjesë të kartave që skadojnë para 25 prillit mbetet e hapur.

Shkresa e dorëzuar KQZ-së nga Drejtoria e Gjendjes Civile

Zoti Doracaj, në shkresën që i këni dërguar KQZ-së më 31 dhjetor thuhet se janë rreth 900 mijë qytetarë me karta identiteti të skaduara vetëm për 2020 dhe rreth 180 mijë të tjerëve u skadojnë para 25 prillit. Kjo do të thotë se mbi 1 mln qytetarë mund të mos votojnë dot në zgjedhjet e 25 prillit?

Ashtu sikurse është përcaktuar në Kodin Zgjedhor të Republikes së Shqipërisë, dokumentet me të cilët mund të identifikohesh dhe votosh në zgjedhje janë : ID card (letërnjoftimi elektronik) dhe pasaporta biometrike. Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, prej kohësh ka filluar një fushatë intensive komunikimi me publikun duke ju kërkuar të gjithë shtetasve që ju ka skaduar apo ju skadojnë dokumentat të drejtohen pranë zyrave të aplikimit pë t'u pajisur me dokumentat e reja. Letërnjoftimi elektronik nuk është thjesht një dokument me anë të cilit mund të votosh në zgjedhjet parlamentare, apo lokale, por është celsi për të përfituar të gjitha shërbimet në institucionet shtetërore por edhe private. Duke përfituar nga rasti, edhe njëherë ju bëj thirje të gjithë shtetasve që kanë në posedim një dokument të skaduar, të shkojnë pranë zyrave të aplikimit dhe të aplikojnë për t'u pajisur me dokumentat e reja. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka thjeshtësuar procedurat e aplikimit, duke siguruar në të njëjtën kohë integritetin dhe sigurinë absolute të dokumentave të lëshuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj

A ka rritje të numrit të aplikuesve?

Është e vërtetë që kemi kohë që ju jemi drejtuar qytetarëve që ju skadojnë dokumentat biometrikë të shkojnë në zyrat e aplikimit dhe t’i rinovojmë. Në kohë fluksi, së bashku me kompaninë "Aleat", kemi ofruar shërbim edhe ditë pushimi zyrtar, apo ditë të shtuna. Ka një rritje të lehtë dhe shpresojmë që në të ardhmen e afërme të kemi shtim të numrit të aplikimeve. Shërbimi i gjendjes civile ka marrë të gjitha masat, që në çdo rast dhe ditë të ofroje shërbim për aplikimet, edhe me orare të zgjatura apo në ditë pushimi.

Duke qenë se një pjesë e mirë janë jashtë Shqipërisë dhe në vende që kanë të kufizuara lëvizjet për shkak të Covid, çfarë rruge mund të ndjekin këta persona?

Ne sot ofrojmë shërbimin e aplikimit për ID dhe pasaporta në rreth 10 shtete prane përfaqësive tona diplomatike, ndërkohë që jemi duke punuar dhe së shpejti do të jemi prezent edhe në 6 poste të tjera diplomatike. Edhe në këtë rast, procedurat e aplikimit janë thjeshtësuar dhe duhen vetëm pak minuta për të bërë aplikimin pë dokumentat biometrike.

A mund të ketë për shkak të zgjedhjeve një shtyrje tjetër të vlefshmërisë së kartave, siç u bë vitin e kaluar gjatë karantinës?

Sot jemi në kushtet ku po ju kërkojmë qytetarëve të vijnë e të aplikojnë për t'u pajisur me dokumeta të reja dhe të vlefshme. Ne kemi besim, që asnjë shtetas shqiptar nuk do të ngeli pa votuar, por do të paraqiten në zyrat e aplikimit për t'u pajisur me doumenta të vlefshëm.

Intervistoi: Mentor Kasa


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë