Ka ndodhur

Katër persona të arrestuar në Durrës e Gjirokastër për trafik emigrantësh

Gazeta Si - Katër persona janë vënë në pranga në Durrës dhe Gjirokastër, me akuzën e trafikut të klandestinëve kundrejt fitimit.

Një 22-vjeçar me iniciale R.M., është arrestuar në zonën e Plepave në Durrës. Në momentin kur ai ka parë policinë, ka tentuar të largohet, duke ia mbathur me vrap, por është kapur pak metra më tutje.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij, janë gjetur 7 klandestinë nga Jemeni dhe Palestina, të cilët do të transportoheshin drejt Shkodrës. Më pas ata do të kaloheshin në Mal të Zi me qëllim trafikimin në vendet e Bashkimit Europian.

Por ashtu, policia në Gjirokastër ka finalizuar dy operacione të tjera kundër trafikut të emigrantëve të huaj, ku në pranga janë vënë 3 persona ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Si rezultat i operacionit “ROAD GUARD 4”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. D., 26 vjeç dhe E. A., 24 vjeç, banues në Sarandë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë, në aksin rrugor Qafë Muzinë-Gjirokastër, duke transportuar me automjetin e tyre, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit M. N., 21 vjeç dhe A. A., 25 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë veprimeve hetimore kanë rezultuar bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar automjetet dhe aparatet celularë që përdoreshin nga trafikantët për të bërë të mundur zbulimin e bashkëpunëtorëve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë